Kino ARMATA ka kënaqësinë të ju ftojë në hapjen zyrtare të shtëpisë së filmit dhe kulturës, të mërkurën, 25 prill 2018, prej orës 19:00. Kokteji i organizuar do t'i paraprijë shfaqjes së filmit Kabineti i Dr. Caligari (gjermanisht: Das Cabinet des Dr. Caligari) nga regjisori Robert Wiene, dhe performancës së kolektivit artistik TETRIS, të cilët do të ekzekutojnë live soundtrack mbi imazhet filmike.
PËR 'KABINETI I DR. CALIGARI'
Kabineti i Dr. Caligari (gjermanisht: Das Cabinet des Dr. Caligari) është film horor gjerman pa zë i prodhuar në vitin 1920, me regji të Robert Wiene dhe skenar të Hans Janowitz dhe Carl Mayer. I konsideruar si vepra më e rëndësishme e kinemasë ekspresioniste gjermane, filmi tregon për hipnotistin e çmendur (Werner Krauss) i cili përdor somnambulistin (Conrad Veidt) për të kryer vrasje. Filmi ka stil të errët dhe të shtrembëruar vizuel, me forma të mprehta, vija oblike dhe harkore, struktura dhe panorama të cilat lakohen nën kënde të çuditshme, dhe hije e shtresa të dritës të ngjyrosura drejtëpërdrejt në sheshxhirim.
Filmi prezenton tema të autoritetit brutal dhe iracional; Dr. Caligari prezenton qeverinë e luftës së Gjermanisë, derisa Cesare është simbol i njeriut të thjeshtë, të kushtëzuar, si ushtarët, për vrasje. Në librin e tij me ndikim Prej Caligari te Hitler, Siegfried Kraucauer thotë se filmi reflekton nevojën e nënndërgjegjshme të shoqërisë gjermane për të pasur tiran, duke qenë shembull i bindjes së tyre ndaj autoriteteve dhe mosdashjes për t'u rebeluar kundër autoritetit të çmendur. Ai thotë se filmi është paralajmërim i ngritjes së Adolf Hitler dhe Partisë Naziste, dhe thotë se shtimi i rrëfimit bazë kthen filmin përndryshe "revolucionar" në film "konformist". Tema tjera të shtjelluara përfshijnë kontrastin destabilizues mes çmendurisë dhe mendjes së shëndoshë, percepcionin subjektiv të realitetit, dhe dualitetin e natyrës njerëzore.
REVIEW: https://www.rogerebert.com/reviews/great-movie-the-cabinet-of-dr-caligari-1920
PËR TETRIS
TETRIS është grup i artistëve të bazuar në Prishtinë, që krijojnë audio ambiente mbi fraza hipnotike të sintave të shumtë dhe basit të thellë. Line-up që ndryshon tërë kohës nuk heziton të manipuloj analogisht gitaret e zhurmshme, piano klasike dhe ritme monotone, duke shtuar ngjyrë performancave të tyre të paparashikueshme dhe (shpesh) eksplozive.
SOUNDCLOUD: https://soundcloud.com/zjtlnj3nhxe9