Kanë nisur xhirimet e filmit të metrazhit të gjatë “Dua të Shkoj Sërish në Det”, me skenar dhe regji nga Leart Rama.
Filmi ndjek historinë e Valit, një studenti të ri të filmit, i cili zgjohet nga një ëndërr ku sheh trupin e tij të vdekur buzë detit. Ndërsa familja dhe e fejuara e tij, Tringa, presin që ai t’i rikthehet jetës që kanë planifikuar për të, Vali strehohet pas filmit të tij të diplomës, i bindur se përmes tij mund të shprehë atë që vetë nuk ka guxuar kurrë ta thotë.
Në rolet kryesore interpretojnë Redon Kika, Florist Bajgora, Gjeni Basha, Don Shala dhe Alban Ukaj, së bashku me aktorë të tjerë.
Xhirimet po realizohen në Kosovë dhe Shqipëri dhe pritet të përfundojnë në mesin e muajit tetor.
Filmi është bashkëprodhim ndërmjet Plan Bee Films nga Kosova, me producente Valmira Hyseni, dhe ArtAlb Film Productions nga Shqipëria, me bashkëproducentë Blerina Hankollari dhe Gentian Koçi. Projekti mbështetet nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.