close

Vazhdohet marrëveshja për studentët e filmit që ëndërrojnë studimet në FAMU

Sot (4 tetor 2016) është nënshkruar vazhdimi edhe për 3 vite të Memorandum Mirëkuptimit me shkollën e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të bukura në Pragë - FAMU, me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Qendrën Kinematografike të Kosovës, për të bashkëpunuar në ofrimin e mundësisë së edukimit audio-vizual për qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti për studentët e kësaj fushe.

Ky vazhdim i marrëveshjes u nënshkrua në emër të MKRS-së nga Sekretari i Përgjithshëm z. Veton Firzi, nga drejtori i QKK-së z. Arben Zharku dhe nga dekani i FAMU-së z. Zdenek Holy.

Drejtori i QKK-së z. Zharku rreth vazhdimit të këtj Memorandumi u shpreh: “Jemi shumë të inspiruar që të ndihmojmë dhe të krijojmë këtë mundësi të madhe për brezat e ri që ëndërrojnë të studiojnë filmin në një prej shkollave më të çmueshme në botë. E falemnderojmë Ministrinë e Kulturës që ka vazhduar të mbështes këtë marrëveshje dhe që ka ndarë buxhet për vazhdimin e saj.”

Bursa e plotë që ndahet nga Ministria e Kulturës ju jep mundësi të studioni në programin Bachelor (në rast se e flisni gjuhën çeke) dhe në programin Master në këto drejtime: regji, skenar dhe kamerë (drejtor fotografie). 
Gjithashtu në këtë Memorandum përfshihen edhe një seri punëtorish që do të mbahen nga profesorët e FAMU-së për studentët kosovar.

Image

Akademia e Arteve të Bukura FAMU në Pragë është themeluar në vitin 1947 duke qenë kështu një ndër shkollat më të vjetra në botë, dhe sipas gazetës Hollywood Reporter është shkolla numër një në Evropë dhe e njëmbëdhjeta në botë. Të diplomuar nga kjo shkollë janë shumë regjisor dhe skenarist të njohur ndërkombëtarisht si fitues të çmimeve Oskar ose laureat të festivaleve ndërkombëtare të filmit. Ndër të tjerë aty kanë studiuar edhe Milos Forman, Emir Kusturica etj.

Deri më tani dy student kosovar Norika Sefa dhe Dritëro Mehmetaj e gëzojnë bursën nga MKRS, të cilët po vazhdojnë studimet në programin Master të kësaj shkolle dhe ndërkohë rekomandojmë studentët e tjerë kosovar që të shfrytëzojnë këtë mundësi të rezervuar vetëm për ta, që të jenë pjesë e një ndër institucioneve më të mira akademike.

Partnerët tanë