Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se filmi KRAHËT E PUNËTORËVE (19’) nga regjisori Ilir Hasanaj do ta ketë premierën botërore në edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit në Roterdam. Me producent Arvan Berishën dhe Ilir Hasanaj, filmi sjell përvojat e punëtorëve Milazimit, Fatmirit dhe Liridonit, të cilët janë viktima të aksidenteve në vendin e tyre të punës. Në këtë homazh poetik dhe eksperimental, regjisori u jep zë përvojave dhe rrëfimeve të harruara të cilat janë pre e makinerisë dhe politikës primitive të Ballkanit.
Frymëzimi për filmin i kishte ardhur regjisorit gjatë procesit të realizimit të filmit të tij debutues me dasht’, me dasht’, me dasht’, kur ai kishte qenë dëshmitar i rënies së një punëtori nga skelat e ndërtimit të improvizuara dhe kishte mbetur i shtrirë në tokë, i lënduar. Pikërisht pasiguritë në vendin e punës, e kishin frymëzuar regjisorin të përfshihej në një kërkim të gjerë, i cili është realizuar nga hulumtuesit Dafina Halili, Korab Mala dhe Mentor Mahmuti.
“Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që film do të shfaqet në festivalin e Roterdamit. Tregimit e Milazimit, Liridonit dhe Fatmirit janë tregime të shumë punëtorëve të krahut në Kosovë e gjithandej në botë, prandaj duhet të dëgjohen nga më shumë njerëz. Jam tejet falenderues dhe mirënjohës edhe ndaj ekipit të filmit për bashkëpunimin dhe përkushtimin e pashoq për realizimin e këtij filmi.” është shprehur regjisori Ilir Hasanaj.
Filmi, i cili garon në kategorinë TIGER SHORT COMPETITION, xhiruar nga Vigan Nimani, me montazhë të Enis Saraçit, është prodhuar nga shtëpia filmike Unseen Films dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.