Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se filmi debutues The Land Within/ Toka Brenda Meje i regjisorit Fisnik Maxwille, bashkëprodhim i Kosovës Ikonë Studio dhe Zvicrës Alva Film, mbështetur nga QKK, ka përmbushur kriteret për nominim në pesë kategoritë e Çmimeve Zvicerane të Filmit. Kjo është hera e parë që një bashkëprodhim filmik zviceran-kosovar kualifikohet në kaq shumë kategori, sidomos në atë të filmit më të mirë.
Pas paraqitjeve të suksesshme nëpër festivalet ndërkombëtare (Filmi më i Mirë i Parë në Tallin Black Nights; Regjia më e Mirë në Raindance; Filmi më i Mirë dhe Regjia më e Mirë në Prishtina Film Festival, filmi i tij kualifikohet për nominim kategoritë e mëposhtme të Çmimeve të Filmit Zviceran: Filmi më i Mirë, Skenari më i Mirë, Kolona Zanore më e Mirë, Zërimi më i Mirë dhe Montazha më e Mirë.
Filmi është në garë me 25 filma të tjerë artistikë për një nominim të vetëm, ku vetëm 5 prej tyre do të konkurrojnë për çmimin Quartz. Nominimet do të zbulohen gjatë Solothurner Filmtage Festival në janar të vitit 2024, një ndër ngjarjet kryesore të filmit në Zvicër ku filmi THE LAND WITHIN pati premierën zvicerane në vitin 2023 si pjesë e kategorisë kryesore. Ceremonia e çmimeve të Filmit Zviceran do të mbahet në mars të vitit 2024 ku edhe do të shpallen fituesit.