Filmi i parë i metrazhit të gjatë nga znj. Zeqiri do të jetë pjesë e garës zyrtare të Tallinn Film Festival, ku do të shfaqet më 28 nëntor të këtij viti.
Sot është bërë publike një pjesë e programit zyrtar të Festivalit të Filmit në Tallinn të Estonisë, ku bën pjesë edhe filmi “Martesa” i regjisores fituese të çmimit për filmin më të mirë të shkurtër ndërkombëtar në festivalin më të madh të filmit në SHBA – Sundance.
“Jam shumë e lumtur që një punë 5-vjeçare po kurorëzohet me një premierë në një festival të tillë. Është moment i lumtur për mua dhe paksa i pikëlluar, sepse është një lloj ndarjeje, pasi që nga tani 'Martesa' e fillon udhëtimin e saj nëpër botë, derisa unë ia filloj një projekti të ri filmik” tha znj. Zeqiri e cila tanimë ka 5 vite prej kur e ka nisur punën në këtë projekt, që njëherit është edhe filmi i saj i parë i metrazhit të gjatë.
Filmi “Martesa”, që u përkrah financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese. Treshen e personazheve kryesore të filmit me skenar të Blerta Zeqirit dhe Keka Kreshnik Berishës e interpretojnë Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu. Përveç QKK-së, “Martesa” u përkah edhe nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë, si projekt me financim minoritar.
Tallinn Film Festival, ku më 28 nëntor do të shfaqet bashkëprodhimi filmik Kosovë-Shqipëri, bën pjesë në mesin e 15 festivaleve garues të kategorisë A, sipas Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Producentëve të Filmit (FIAFP), dhe ky film shënon filmin e tretë të gjatë të mbështetur nga QKK që sivjet ka premierën botërore në festival të kategorisë A.