Filmi ‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli është shfaqur në LA Screenings me datë 3 nëntor nën ombrellën e European Film Promotion (EFP), e cila çdo vit fokusohet në shfaqjen dhe promovimin e filmave evropian të propozuar për Akademinë Oscar.
Ky film do të shfaqet edhe sot në Chapman University ku do të jetë prezent edhe regjisori Edon Rizvanolli.
‘T’padashtun’ është dramë e cila merret me pasojat dhe traumat e shkaktuara nga lufta e vitit 1999 në Kosovë. Filmi trajton ngjarjen e një adoleshenti i cili jeton me nënën e tij kosovare në Amsterdam dhe që rikthimi i traumave të nënës së tij ia rrotullojnë botën. Në rolet kryesore janë Adriana Matoshi dhe Jason de Ridder.
Nga 92 filmave që garojnë për kategorinë ‘Filmi më i mirë i huaj’, 28 prej tyre do të shfaqen në kuadër të LA Screening të organizuar nga European Film Promotion. Prej këtij numri rekord të propozimeve, vetëm 9 nga 92 do të kalojnë në rrethin e ngushtë dhe në fund të janarit 2018 do të publikohen 5 filmat që do të nominohen për këtë kategori.
European Film Promotion është e mbështetur nga Creative Europe – Media Program e Bashkimit Evropian dhe nga organizatat anëtare të EFP-së, ku bënë pjesë edhe QKK-ja.