close

'A Sunday in the Country' vjen në Kosovë

Këtë vit Kosova do të jetë vendi që do të mirëpres filmbërësit e ri nga Evropa si dhe disa ekspert të filmit, prej 22 prill deri më 25 prill.

'A Sunday in the Country' është program i Akademisë Evropiane të Filmit EFA ku filmbërës të ri nga mbarë Evropa mbledhen çdo vit në ndonjë vend për një fundjavë ku takohen me ekspert të filmit.

14 filmbërës të ri (regjisor, skenarist dhe producent) prej të gjitha vendeve të Evropës bashkë me ekspertët dhe anëtarët e EFA do të takohen këtë fundjavë në Bogë të Rugovës, ku nga Kosova janë edhe tre filmbërës të ri: More Raça, Dritëro Mehmetaj dhe Noar Sahiti. Ndërsa ekspertët që do të jenë pjesë e 'A Sunday...' janë: Veton Nurkollari - drejtori artistik i Dokufest, dhe anëtarët e EFA-së; Lluis Minarro që ka qenë producent në 34 filma të gjatë dhe ka qenë regjisor i filmave si 'Stella Cadente' dhe Jukka-Pekka Laakso, regjisori i Tampere Film Festival që është një ndër festivalet më të rëndësishme evropiane të filmit të shkurtër.

Qëllimi i këtij programi është krijimi i një atmosfere private dhe takimi në vende piktoreske për diskutime jo formal me filmbërës të gjeneratave të ndryshme që vijnë nga kultura të ndryshme. Kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e talenteve në zhvillim dhe për të ardhmen e filmit evropian, i cili nuk mund të mbijetoj pa bashkëprodhimeve.

'A Sunday in the Country' është themeluar në vitin 1995  dhe ka shetitur në vendet si: Poloni, Itali, Danimarkë, Austri, Islandë, Suedi, Kroaci, Qipro, Luksemburg etj. Këtë vit ky program do të mbahet në Kosovë dhe kjo ngjarje mbështetet nga Akademia Evropiane e Filmit në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës.

 

 

Partnerët tanë