close

“Babai” triumfon dy çmime në Karlovy Vary Film Festival

Dy çmime ka marrë filmi “Babai” me skenar dhe regji nga Visar Morina në edicionin e 50-të të festivalit ndërkombëtar të filmit Karlovy Vary.

Në ngjarjen më të rëndësishme të filmit në Europën Qendrore dhe Lindore, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ky film fitoi çmimin për regjinë më të mirë si dhe çmimin Europa Cinemas Label që ndahet nga Europa Cinemas Network.

Image

Me dy premiera brenda një jave, atë gjermane dhe botërore, ‘Babai’ ka rrëmbyer deri tani 6 çmime. Ky film fitoi 4 çmime në festivalin e madh Filmfest Munchen ndërsa tani i erdhi radha fitores në Karlovy Vary në njërin ndër festivalet më të vjetra dhe më të mëdha në botë, thuhet në një njoftim të Qendrës Kinematografike të Kosovës

Visar Morina trimufoi përkrah regjisorëve të njohur në konkurrencën zyrtare si Florin Serban, Anca Damian, Peter Brunner duke marr çmimin për regjinë më të mirë ku me këtë rast triumfoi edhe kinematografia kosovare, thuhet në njoftim.

Image
BABAI Team at Red Carpet

Ky filmi shtjellon rrëfimin e Norit (Val Maloku) një fëmijë i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta ku babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani e i biri bën çdo gjë për të qenë me të. Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë-bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.

Image
BABAI Team

“Babai” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga fondacionet gjermane të filmit si Film und Medien Stiftung NRW, fondacioni FFA, fondacioni Nordmedia, pastaj Fondi Maqedonas i Filmit, fondacioni francez Cinema Du Monde dhe nga televizioni publik gjerman WDR si dhe televizioni publik gjermano-francez ARTE dhe është prodhim i NikoFilm, Gjermani, Produksioni Krusha, Kosovë, Skopje Film Studio, Maqedoni dhe Eaux Vives Productions, Francë.

 

Partnerët tanë