Filmi ‘Eho’ me skenar dhe regji nga Dren Zherka dhe me producent Alban Zogjani do të ketë premierën botërore në Montreal World Film Festival të Kanadasë, festival ky i kategorisë ‘A’.
Ky film do të jetë në konkurrencë zyrtare në MWFF 2016 dhe premiera pritet të mbahet me 26 gusht duke vazhduar edhe me një shfaqje të nesërmen.
‘Eho’ është filmi debutues i Dren Zherkës ku në rolet kryesore janë Selman Jusufi dhe Klara Höfels ndërsa ekipa realizuese është kosovare dhe gjermane.
Filmi flet për humbjen, vetminë, dhe për një lidhje të pashprehur që i bashkon dy prindërit në moshë, larg nga njëri-tjetri, përmes një aksidenti fatal. Një grua në Gjermani fillon udhëtimin dhe eksplorimin e jetës së emigrantit ilegal, dhe në vend të kësaj gjen dhimbjen dhe vetminë e saj; një njeri të moshuar në Kosovë që humbja dhe vetmia e kanë sjell në fund të udhëtimit të tij.
‘Eho’ është realizuar nga kompania filmike ‘ASHA’ dhe ‘MAGUSfilms’ dhe është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.