close

QKK shpall 17 projektet e përzgjedhura nga ana e jurisë vlerësuese

Qendra Kinematografike e Kosovës për konkursin e vitit 2015, përkatësisht juria vlerësuese në përbërje të Fjolla Hoxha– Kryesuese, Brendan Ward, Jean-Yves Roubin, Ndricim Xhepa, Kujtim Rrahmani, Gjergj Xhuvani, (Sylejman Kllokoqi -në mungesë )– anëtarë, pasi shqyrtuan projektet e paraqitura në konkursin për subvencionimin e filmave të metrazhit të gjatë, të këtij viti, kanë kënaqësinë t’i shpallin projektet fituese:

1. “Shpia”, skenari dhe regjia: Lendita Zeqiraj, me producent Bujar Kabashi.
Deklarata e jurisë: Një tregim me natyrë teatrale dhe i bazuar në karaktere të plota. Skenari i shpalosë këndet e errëta të një historie të idhët të mbetjeve të gruas kosovare pas luftës e cila vazhdon të përballet me përulje dhe burokraci. Edhepse të shtypura dhe të lëna anash si hije që gjallërojnë me zor, përballemi me gra që e kanë mvetësu patriarkalizmin dhe e kanë normalizu frikën. Përkundër kësaj, atmosfera e lehtë shpalos dëshirat dhe sfidën për liri të karaktereve me prejardhje të ndryshme të cilat i miqëson përvoja e hidhur dhe mungesa e rrugëdaljes. Motivet e tyre janë të kjarta dhe kjo del në pah lehtë e në mënyrë shumë natyrale. Qasja komike në gjithë këtë dramë të mbijetimit e mbush skenarin me shpresë për jetë dhe përçon bashkëndjenjë.

2. “Vera e andrron detin”, skenari: Doruntina Basha, regjia: Kaltrina Krasniqi me producent Shkumbin Istrefi.
Deklarata e jurisë: Aq sa një rrëfim i thjeshtë, konkret dhe i përqëndrum, Vera Andrron Detin është njëherësh abstrakt, simbolik dhe kritik. Përmes rrethanave private të një gruaje jepet një pasqyrë e shoqnisë kosovare dhe ‘vlerave’ që mbretërojnë në të, me një fokus në portretizimin e pozitës së gruas në shoqni, por duke rezonuar deri tek problematikat e grupeve të tjera të margjinalizuara si romët, pleqtë dhe shurdhmemecët në ambiente protektive si shtëpija në qytet e në fshat dhe ato ekspozuese si mediat dhe gjykata.
Skenari është shumë direkt dhe shpues gjë që bën të emitojë ndjenja të forta për tretjen e të cilave lypet kohë. Simbolikat në mënyrë inteligjente përdoren për ta tregu lidhshmërinë e karaktereve dhe për t’i definu ndjenjat e sakta që ata i kanë për njëri tjetrin. Njëherësh, jehona e luftës dhe zhvillimeve politike pas saj është në sfond gjatë gjithë kohës si preokupim ngërthyes i njerëzve në vend.

3. “Njeriu i Dosjeve”, skenari: Arian Krasniqi dhe Ismet Sijarina, regjia: Ismet Sijarina me producent Arian Krasniqi. 
Deklarata e jurisë: Përditshmëria e viteve të 90-ta për shqiptarët e Kosovës shikohet nga një prizëm i ri provokativ, përmes një teme të pa shtjelluar më parë, por që bartë rrëfimin me të cilin bashkëndiejnë shumë njerëz. Karakteret vihen në një dilemë ekzistencialiste që i përballë haptaz me normat morale dhe antipodin e tyre që ‘garanton’ mbijetesë. E gjithë kjo shtjellohet përmes një rrëfimi me sfida të vështira dhe alternon në kthesa të papritura por me pasoja shumë të besueshme. Këndvështrimet e ndryshme falë humbjeve personale nga një sistem rigoroz dhe diskriminues jepen në mënyre të pasforcuar gja që e bën këtë projekt më gjithpërfshirës dhe të përtogëzuar.

Për koproduksion minor, juria vlerësuese ka vendosur për projektin: 4. “Freedom or Die”, skenari dhe regjia: Vladimir Blazefski me producent Agon Uka.
Deklarata e jurisë: Edhepse përmes gjetjeve fiktive, ky projekt bartë sintagmën e një ndodhie origjinale me tonalitet të komedisë së zezë. Një hard core punk film që e sfidon përditshmërinë e realitetit ballkanik të ndërtuar mbi një sfond të hareshëm dhe njëherësh pikëllues. Përmes një skenari të mprehtë dhe karaktereve të vrazhda detektohet idealja më e afërt me të mundshmen në një realitet të mbushun me pasiguri, mosbesim, urrejtje, varfni, shpresë të humbun, mosrespekt, krim, hajni dhe nonshalancë.
I falemnderojmë të gjithë aplikantët për punën dhe prezantimet e tyre, me shpresë që një pjesë të mirë e këtyre projekteve filmike t’i shohim të realizuar në të ardhmen.

Ndërsa juria vlerësuese për film të metrazhit të gjatë – debutant, zhvillim skenari, metrazhit të shkurtër, dokumentar dhe animacion, e përbërë nga: Imer Mushkolaj – Kryesues, Arben Bajraktaraj, Eqrem Basha, Jahi Jahiu, Rebeka Qena, Hazir Haziri, Yll Citaku - anëtarë, kanë kënaqësinë të shpallin këta fitues: Për film të metrazhit të gjatë debutant juria vlerësuese ka vendosur për projektet:

1. “Vdekja e Hakiut”, skenari dhe regjia Anton Nrecaj, me producent Adriatik Kelmendi.
2. “Një tregim Prishtine”, skenari: Getoarbë Mulliqi , regjia: Burbuqe Berisha, me producent Agron Vula.
3. “Gjumi dhe Dashuri”, skenari dhe regjia Arsim Haliti me producent Valon Bujupi.

Për zhvillim skenari, juria vlerësuese ka vendosur për projektet:

1. “Zana”, skenari dhe regjia: Antoneta Kastrati, me producent Sevdije Kastrati & Casey Cooper Johnson.
2. “Deri në fund”, skenari: Astrit Kabashi, regjia: Valter Lucaj, me producent Liridon Cahani.
3. “Gjakmarrja”, skenari dhe regjia: Marija Zidar, me producent Latif Hasolli.
4. “Zgjoi”, skenari dhe regjia: Blerta Basholli, me producent Yllka Gashi.

Për film të metrazhit të shkurtër juria vlerësuese ka vendosur për projektin:

1. “Home”, skenari dhe regjia: More Raca, me producent Sunaj Raca.

Për film dokumentar juria vlerësuese ka vendosur për projektet:

1. “Njihuni me Enver Hadrin”, skenari dhe regjia: Gilles Coton, me producent Yll Uka.
2. “People of Baushtellë”, skenari dhe regjia: Ilir Hasanaj, me producent Rina Kika.
3. “ Msitnia”, skenari: Genc Mehmetaj, regjia: Genc Mehmetaj & Dren Berisha, me producent Kastriot Jahaj.
4. “Tregimi i tregimtarit”, skenari dhe regjia: Gazmend Avdiu, me producent Gëzim Avdiu.

Për film të animuar juria vlerësuese ka vendosur për projektin:

1. “Clara”, skenari: Dafina Syla, regjia: Valë Blakqori, me producent Ilir Blakqori.

Deklarata e jurisë: Juria që ka bërë përzgjedhjen e projekteve në kategorinë e filmit të shkurtër, filmit dokumentar, të animuar, filmit debutant të metrazhit të gjatë dhe në kategorinë e zhvillimit të skenarit shpreh kënaqësinë për prurjet e këtij viti dhe përgatitjen shumë të mirë të aplikuesve në prezantimin e projekteve.
Juria konsideron se ka bërë punë korrekte në përzgjedhjen e skenarëve, pjesa dërmuese e të cilëve i kanë plotësuar kriteret profesionale. Në shumicën e skenarëve kanë dominuar temat sociale, ndërkohë që juria ka mirëpritur aplikimet për zhvillimi skenari, duke e konsideruar këtë si një qasje serioze në përgatitjen para aplikimit.
Po ashtu, juria çmon përpjekjet për krijimin e bashkëproduksioneve me kompani jashtë vendit, rrugë që duhet ndjekur gjithnjë e më shumë.
Juria ka mirëpritur sidomos aplikimet për film të gjatë debutant, një kategori e re shumë e rëndësishme për sprovimin e regjisorëve të rinj në këtë zhanër.

Partnerët tanë