close

"Home Sweet Home" mbështetet edhe nga Agjencia e Filmit në Maqedoni

Edhe një bashkëpunim i ri mes Kosovës dhe Maqedonisë në fushën e kinematografisë. Projekti filmik “Home Sweet Home” me skenar të Zymber Kelmendi e regji të Faton Bajraktari është mbështetur edhe nga Agjencia e Filmit Maqedonas me rreth 50 mijë euro.

Ky projekt i metrazhit të gjatë në konkursin e vitit 2014 të Qendrës Kinematografike të Kosovës është subvencionuar me 150 mijë euro dhe tani ka gjetur mbështetje edhe në Maqedoni.

Producenti i filmit Trim Musliu rreth këtij bashkëpunimi u shpreh: “Kjo mbështje është shumë e rëndësishme për projektin, ngase kjo nënkupton edhe një riverifikim të vlerave që bartë ky projekt. Si Produksion jemi në kontakte edhe me disa kompani të tjera ndërkombëtare, nga ku presim edhe rezultate të tjera pozitive.”

Ndërsa drejtori i QKK-së Arben Zharku tha: “Me Maqedoninë ekziston një marrëdhënie e shkëlqyer reciproke në fushën e kinematografisë. Projektet filmike kosovare kanë gjetur mbështetje në Maqedoni si dhe anasjelltas kështu duke krijuar një afërsi dhe një zhvillim të përbashkët në këtë fushë.”

Ky film është prodhim i shtëpisë filmike “Cine Production” dhe kompanisë maqedonase “Arnel Production” dhe pritet të xhirohet këtë vit.

Partnerët tanë