close

Nënshkruhet marrëveshja FAMU-QKK-MKRS

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Qendra Kinematografike e Kosovës kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Shkollën e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të Bukura në Pragë, FAMU, për të bashkëpunuar në ofrimin e mundësisë së edukimit audio-vizual për qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti për studentët e kësaj fushe. Nënshkrimin në emër të MKRS-së e ka bërë Sekretari i Përgjithshëm, Veton Firzi, për QKK-në, drejtori Fatos Berisha ndërkaq nga FAMU, dekani Pavel Jech.

Drejtori i QKK-së, Fatos Berisha tha se ky është një hap i rëndësishëm për kinematografinë e Kosovës. “Jam shumë i lumtur dhe krenar që arritëm këtë marrëveshje me një ndër institucionet më të mira botërore akademike, e që do të ndryshon thellësisht për të mirë industrinë filmike të Kosovës. Kineastët tanë prej tani kanë një mundësi të shkëlqyer të avancimit të tyre profesional që nuk e kanë pasur deri tash”, ka thënë ai. 
Edhe Këshilli Drejtues i QKK-së, përmes kryetarit Arben Zharku e ka përshëndetur nënshkrimin e kësaj marrëveshje. “Kjo marrëveshje me akademinë më të mirë të filmit në Evropë do t’i jep një shtytje shumë të madhe industrisë së filmit, e gjithashtu do të krijojë një frymë të re këtu. Besoj se me këtë marrëveshje do t’ua plotësojmë ëndrrën shumë filmbërësve kosovar. E konsideroj si moment historik”, ka thënë ai.
Ndërkaq dekani Jech tha se FAMU ka nderin që të luajë një rol shumë të afërt/thelbësor në zhvillimin e kinematografisë në Kosovë, duke shtuar se studentët që do të vijnë nga Kosova do të jenë një pasurim i gjithë programit të tyre si shkollë e filmit.

Image

Në bazë të Memorandumit, FAMU çdo vit do të kryejë një punëtori për aspekte specifike praktike të krijimit të filmave në Kosovë siç janë shkrimi i skenarit, prodhimi i filmit, produksioni, kamera, montazhi dhe tema të ngjashme. Në këto punëtori do të ligjërojnë stafi akademik i FAMU-së. QKK-ja do të punojë në përzgjedhjen e studentëve dhe kineastëve që do të marrin pjesë nëpër punëtori.

Përveç kësaj, me këtë Memorandum QKK-ja dhe MKRS-ja marrin përsipër që të financojnë studimet Master për një person në FAMU për një vit, duke filluar nga viti akademik 2014-15. Po e njëjta vlen edhe për studimet e doktoratës, në momentin që këto programe do të fillojnë në FAMU. Gjithashtu me këtë memorandum, FAMU do të sigurojë një vend për një student shtetas nga Republika e Kosovës për programin pesë javor veror.

FAMU International është një departament i përhershëm i FAMU-së i cili ofron programe të akredituara dhe të certifikuara të studimit si dhe kurse afatshkurtra studimore në gjuhën angleze. FAMU dhe FAMU International ofrojnë disa Programe dy vjeçare dhe tre vjeçare Master (MFA) në lëmine e krijimit të filmave dhe studimeve audio-vizuale si dhe një program praktik një vjeçar të prodhimit të filmave të quajtur Programi i Përgatitjes Akademike (APP).  

Partnerët tanë