Qendra Kinematografike e Kosovës ka kënaqësinë të shpall komitetin selektues i cili kryesohet nga aktorja kosovare me famë botërore Arta Dobroshi, e njohur për filmin Heshtja e Lornës. Anëtarët e tjerë janë regjisorja Blerta Zeqiri fituese e Sundance Film Festival, dramaturgu i njohur kosovar Jeton Neziraj, kuratori dhe artisti Albert Heta, dramaturgia dhe gazetarja e njohur Jeta Xharra, aktori me famë Alban Ukaj si dhe kameramani me eksperiencë Sylejman Kllokoqi.
Komiteti do të bëj përzgjedhjen e filmit më të mirë që do të jetë kandidati kosovar për çmimin Oscar për kategorinë e filmit më të mirë të huaj.
Kryesuesja Arta Dobroshi është shprehur: "Ky është moment historik për popullin e Kosovës. Kjo është hera e parë në historinë tonë që kemi mundësi të nominojmë një film për Oscar. Ndihem shumë e nderuar që jam presidente e komitetit selektues nga Kosova. Shumë urime Kosovë."
Ndërsa Drejtori i QKK-së, Arben Zharku tha: “Jam shumë i lumtur që kemi arritur të kemi një përbërje të tillë të komitetit selektues. Njerëz të cilët në fushat e tyre kanë treguar suksese të jashtëzakonshme.”
Propozimin kosovar që do ta bëj komiteti selektues pas datës 20 shtator, do të promovohet në SHBA përmes European Film Promotion në të cilën Qendra Kinematografike e Kosovës është anëtare.