Filmi i parë i propozuar për Oscar nga Kosova, “Tri Dritare dhe Një Varje” shpërblehet në Cottbus të Gjermanisë dhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Thessaloniki të Greqisë.
Në Festivalin e Kinemasë të Europës lindore – Festivali i Filmit Cottbus, filmi i regjisorit Isa Qosja, me skenar nga Zymber Kelmendi merr çmimin “Dialog Prize” si dhe “Special Mention” nga juria ndërkombëtare e filmit në Cottbus.
Për çmimin “Dialog Prize” në komunikatën e festivalit shkruan: “Çmimi për dialog të komunikimit ndërkulturor shkon te një film i cili me një gjuhë kinematike shumë të matur shpreh limitet e një njeriu që përballet me fuqinë e një kulture mbizotëruese. Duke marr një qëndrim dhe duke vënë në pikëpytje shoqërinë ky film thekson rëndësinë e guximit.”
Ky film fitoi edhe çmimin e audiencës në Festivalin e 55-të Thessaloniki International Film Festival në të cilën ishte pjesë e programit “Balkan Survey” po të njejtën natë me 8 Dhjetor 2014.
Filmi “Tri Dritare dhe Një Varje” është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është prodhim i shtëpisë filmike “CMB” me producent Shkumbin Istrefi dhe Mentor Shala.
Projekti filmik ‘Tri Dritare dhe Një Varje” është prezantuar në vitin 2012 në tregun e koproduksionit Connecting Cottbus (coco) ku ka fituar çmimin “Best Pitch Award”.