Qendra Kinematografike e Kosovës fton të gjithë të interesuarit të dërgojnë propozime për konsiderim për çmimet e Akademisë OSCAR, për kategorinë për film ndërkombëtar/gjuhë të huaj, i cili mund ta përfaqësojë Kosovën në edicionin e 99-të të Academy Awards.
Në këtë kategori përfshihen filmat e metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë dhe të animuar më të gjatë se 40 minuta, që kanë filluar ose do të fillojnë shfaqjen e tyre të parë publike në kinema jo më herët se 1 tetor 2025 dhe jo më vonë se 30 shtator 2026, dhe që shfaqen për më së paku 7 ditë radhazi në një kinema komerciale me pagesë.
Në periudhën kualifikuese dhe gjatë shfaqjes në kinema, filmi duhet të reklamohet dhe shfrytëzohet në atë mënyrë e cila konsiderohet normale dhe e zakonshme me praktikat e shpërndarjes së filmave të dedikuar për shfaqje të parë në kinema (theatrical release).
Filmat të cilët, në një formë apo tjetrën, realizojnë shfaqje publike jo në kinema dhe shpërndarje para shfaqjes kualifikuese, nuk do të merren në konsideratë për çmimet OSCAR. Shfaqje publike jashtë kinemave konsiderohen të jenë (por nuk kufizohen vetëm në): transmetimi dhe televizioni kabllor, PPV/VOD, shpërndarjet e DVD-ve, shpërndarjet gjatë fluturimeve ajrore, transmetimet në internet etj.
Filmi duhet të ketë titra në gjuhën angleze dhe të përmbushë kushtet e tjera të përcaktuara në rregulloren e Akademisë.
Në linkun e mëposhtëm gjeni detajet e tjera rreth aplikimit:
https://www.oscars.org/rules
Propozimet mund t’i dërgoni përmes postës elektronike në:
[email protected]
apo fizikisht në:
Qendra Kinematografike e Kosovës
Rruga UÇK nr. 273
10000 Prishtinë
Kosova
Afati i fundit për aplikim është 26 qershor 2026, ora 16:00.