Filmi “Tri Dritare dhe një Varje” me skenar nga Zymber Kelmendi dhe regji nga Isa Qosja ka fituar çmimin Kinemaja për Paqe dhe Drejtësi që organizohet në Berlin prej vitit 2002.
Gala mbrëmja Kinemaja për Paqe e cila mbahet çdo vit në kohën kur është edhe festivali Berlinale ka për qëllim të rris vetëdijen e rëndësisë sociale të filmit dhe ndikimin e tij në perceptimin dhe zgjidhjen e sfidave globale sociale, politike e humanitare të kohës sonë. Viteve të fundit Kinemaja për Paqe është formuar edhe në New York, Los Angeles dhe Cannes dhe ka mbështetur shumë kauza me ndihmën e artistëve të njohur si Angelina Jolie, Brad Pitt, Sean Penn, George Clooney, Leonardo DiCaprio, Nicole Kidman etj.
Filmi kosovar u përfaqësua nga regjisori Isa Qosja dhe producentët e filmit Shkumbin Istrefi dhe Mentor Shala në Gala mbrëmjen e organizuar në KonzertHaus në Berlin.
“Tri Dritare dhe një Varje” flet për Lushen, mësuesen e fshatit, e shtyrë nga ndërgjegjja dhe nevoja e saj për rikthimin e dinjitetit, deklaron para një gazetareje të huaj se ajo dhe tri gra tjera të fshatit janë viktima të dhunimit nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kjo deklaratë, e cila konsiderohet si turp nga mentaliteti, shkakton shqetësim tek burrat e fshatit, të cilët nën udhëheqjen e Ukës, fillojnë stigmatizimin e saj dhe kërkojnë largimin e saj nga fshati.
Në rolet kryesore janë: Irena Cahani, Luan Jaha, Donat Qosja.
Ky film i mbështetur nga QKK është prodhim i kompanisë filmike “CMB” me producent Shkumbin Istrefi dhe Mentor Shala në bashkëpunim me kompaninë filmike “NiKo Film” me bashkëproducente Nicole Gerhards.