close

ILIR HASANAJ ME KRAHËT E PUNËTORËVE I SJELL KOSOVËS TIGRIN E ROTERDAMIT

Sukses i jashtëzakonshëm kinematografik i radhës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Roterdam, ku dokumentari Krahët e Punëtorëve i regjisorit Ilir Hasanaj ka rrëmbyer mbrëmë njërin nga çmimet e kategorisë Tiger Short Competition! Portretizimi kinematografik i sinqertë i rrëfimeve të Fatmirit, Liridonit, Milazimit, punëtorë të aksidentuar në vendin e punës, e ka frymëzuar jurinë ta përzgjedhë dokumentarin si njërin ndër filmat fitues, nga gjithsej 21 filma të kësaj kategorie. 

Juria e sivjetme është përbërë nga ish-fituesja e çmimit Tiger Short, Mónica Lima, nga hulumtuesja dhe shkrimtarja Yasmina Price si dhe kuratorit, distributorit dhe producentit të festivalit Jade Wiseman.

“Një homazh i punës së njerëzve të klasës punëtore, i filmuar me një ton empatik dhe të ndjeshëm, ku portretizohen ngjarjet tragjike në jetën e individëve, plagët dhe dinjiteti i të cilëve përforcohet bukur nga një çasje kinematografike e ndershme dhe e thjeshtë" shkruhet në deklaratën e dhënë nga juria. Ajo që i ka lënë mbresa jurisë është edhe eleganca, vetëpërmbajtja formale e filmit dhe cilësitë estetike, ritmike dhe delikate të portretizimit të ndjenjave. 

"Momentin kur e ndëgjova jurinë teksa lexonte tekstin e vlerësimit të filmit ka qenë moment shumë emocionues për mua. Nuk e kam pritur të marr një vlerësim kaq të lartë, me herën e parë që marr pjesë në këtë festival. Këtë çmim ua kushtoj punëtorëve e punëtoreve në Kosovë. Shumë prej tyre përballen me kushte të rënda të punës, përjetojnë shkelje për çdo ditë pa mbikëqyrje e mbrojtje. Shpresoj që filmi të ndikojë në sjelljen e një ndryshimi për të mirë”, është shprehur regjisori Ilir Hasanaj.



I lumtur për pjesëmarrjen dhe çmimin është shprehur edhe montazheri i filmit Enis Saraçi: "Përveç që jam i lumtur për këtë çmim, jam edhe shumë krenar me filmin sepse trajton një temë të një rëndësie të veçantë. Uroj që filmi të shfaqet dhe shihet sa më shumë në Kosovë dhe që si shoqëri do të reflektojmë më shumë mbi të drejtat e punëtorëve".

Me producent Arvan Berishën dhe kameraman Vigan Nimanin KRAHËT E PUNËTORËVE është prodhuar nga shtëpia filmike Unseen dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Pjesë e garës së sivjetme në kategorinë Tiger Short Competirion ishte edhe filmi Si e Verdhë e Sëmurë nga Norika Sefa, e cila në vitin 2021 ishte përzgjedhur fituese e Çmimit Special të Jurisë për filmin Në Kërkim të Venerës. 

Partnerët tanë