Juritë Vlerësuese të Konkursit të vitit 2026
Qendra Kinematografike e Kosovës ka emëruar juritë vlerësuese për projektet që kanë aplikuar në kuadër të thirrjes së hapur për subvencionimin e projekteve filmike të vitit 2026.
Juria e përbërë nga Bogdan Muresanu, Ibër Deari, Carmen Gray, Rowan E. Cassidy dhe Fejmi Daut do të vlerësojë kategoritë:
- Film i metrazhit të gjatë - artistik;
- Film i metrazhit të gjatë - me buxhet të ulët, avant-gardë/eksperimental;
- Bashkëprodhim minor për film të metrazhit të gjatë - artistik dhe dokumentar;
- Bashkëprodhim minor për film të metrazhit të shkurtër - artistik, dokumentar dhe të animuar;
- Post-produksion për film të metrazhit të gjatë - artistik dhe dokumentar.
Juria e përbërë nga Doruntina Kastrati, Hanis Bagashov, Driant Zeneli, Valmira Hyseni dhe Veton Nurkollari do të vlerësojë kategoritë:
- Film i metrazhit të gjatë - dokumentar;
- Film i metrazhit të shkurtër - dokumentar;
- Mbështetje për shkrimin e skenarit për film të metrazhit të gjatë - artistik;
- Film i metrazhit të shkurtër bazuar në materiale arkivore.
Juria e përbërë nga Milot Hoxha, Arta Dobroshi, Yll Çitaku, Alush Gashi dhe Arba Hatashi do të vlerësojë kategoritë:
- Mbështetje për shkrim të skenarit për serial televiziv;
- Film i metrazhit të shkurtër - artistik;
- Zhvillim i projektit për film të metrazhit të gjatë (artistik, dokumentar dhe të animuar);
- Film i metrazhit të shkurtër - studentor;
- Film i metrazhit të shkurtër - i animuar.
1. Juria e parë
Bogdan Muresanu
Bogdan Muresanu është skenarist, regjisor dhe producent rumun, i vlerësuar për punën e tij në letërsi, reklamë dhe kinematografi. Filmi i tij i parë artistik si regjisor, The New Year That Never Came (2024), u përzgjodh në Festivalin e Filmit në Venecia, ku fitoi çmimin për filmin më të mirë në seksionin Orizzonti dhe çmimin FIPRESCI. Filmi u nominua për European Film Awards 2024 në kategorinë European Discovery - Prix FIPRESCI dhe fitoi gjithsej 23 çmime ndërkombëtare, si dhe 10 çmime Gopo, përfshirë filmin më të mirë, regjinë më të mirë dhe skenarin më të mirë.
Filmi i tij i shkurtër The Christmas Present (2018) fitoi çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit në vitin 2019, pati mbi 200 përzgjedhje në festivale ndërkombëtare dhe 72 çmime, si dhe u përfshi në listën e ngushtë për nominimet e Oscar-it. Muresanu ka shkruar dhe realizuar disa filma të shkurtër, duke u afirmuar si një prej autorëve të vlerësuar të kinematografisë bashkëkohore rumune.
Ibër Deari
Ibër Deari është regjisor dhe producent filmi nga Kumanova, Maqedonia e Veriut. Filmi i tij i parë artistik me metrazh të gjatë, Everybody Calls Redjo, fitoi çmimin për Filmin më të Mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Bari (2025), si dhe çmimin për Regjinë më të Mirë në festivalin Tirana.
Ai ka bashkëskenarizuar dhe prodhuar dokumentarin Antigona, i cili pati premierën botërore në Sheffield DocFest 2025 dhe u përzgjodh për programin Doc Around Europe Talents 2026, një nismë evropiane e mbështetur nga programi Creative Europe. Gjithashtu, ka kontribuar si producent në disa filma të shkurtër.
Së fundmi, ai ka përfunduar xhirimet e filmit të tij të shkurtër Kaloshi dhe aktualisht është në përgatitje të filmit të tij të ardhshëm të shkurtër, Through the Frame. Paralelisht, është duke zhvilluar filmin e tij të dytë artistik me metrazh të gjatë, Nobody Loves Sadik, ku është i angazhuar si skenarist, regjisor dhe producent. Projekti u vlerësua me çmimin Best Pitch Award në PriForum 2026 dhe u përzgjodh për Warsaw Co-Production Forum.
Carmen Gray
Carmen Gray është gazetare, kritike e filmit dhe programuese filmash nga Zelanda e Re, e cila jeton në Berlin. Ajo ka shkruar gjerësisht për kinemanë dhe artin, duke u përqendruar kryesisht në Evropën Lindore, Kaukaz dhe rajonin e Ballkanit, për botime të njohura si The New York Times, The Guardian, Sight & Sound dhe Criterion.
Ka bashkëpunuar me një sërë festivalesh ndërkombëtare në rolin e programueses dhe aktualisht mban pozicionin e Programueses së Lartë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Zelandës së Re, si dhe është pjesë e komitetit përzgjedhës të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin.
Carmen Gray është gjithashtu këshilltare e rregullt e industrisë së filmit për projektet që ndodhen në fazën e montazhit pranë platformës First Cut Lab. Përveç kësaj, ajo ka zhvilluar dhe drejtuar një sërë seminaresh dhe punëtorish për shkrimtarë të rinj në vende të ndryshme të Evropës.
Rowan E. Cassidy
Rowan E. Cassidy është artist dhe dizajner australian, me më shumë se pesëmbëdhjetë vjet përvojë në zhvillimin dhe prodhimin e filmave artistikë me metrazh të gjatë. Ai bashkëpunon ngushtë me skenaristë, producentë dhe regjisorë për të përcaktuar gjuhën vizuale të filmave të tyre, duke i shndërruar synimet dramatike të një skenari në imazhe kinematografike.
Ai ka qenë pjesë e njësisë së regjisorit Baz Luhrmann në kompaninë Bazmark, ndërsa në filmografinë e tij përfshihen filma si The Great Gatsby, Hero dhe House of Flying Daggers. Cassidy ishte gjithashtu pjesë e ekipit që fitoi çmimin Oscar për filmin Moulin Rouge.
Cassidy ka ligjëruar mbi rrëfimin kinematografik për Institutin Australian të Filmit dhe ka drejtuar punëtori mbi procesin e përshtatjes së skenarit nga faqja në ekran për kineastët, në kuadër të programeve IndiVision Labs të Komisionit Australian të Filmit.
Ai është vlerësuar me një bursë letrare nga Varuna për zhvillimin e dorëshkrimeve dhe ka punuar në zhvillimin e skenarëve në Los Anxhelos, në bashkëpunim me producentin G. Mac Brown.
Aktualisht jeton dhe vepron në Prishtinë, ku ligjëron dhe ofron konsulencë në zhvillimin e tregimeve filmike, me fokus në procesin e shndërrimit të skenarëve në vepra kinematografike.
Fejmi Daut
Fejmi Daut, i lindur më 24.11.1980 në Shkup, është kinematograf dhe drejtor fotografie nga Maqedonia e Veriut. Puna e tij udhëhiqet nga pasioni për rrëfimin vizual, ndjeshmëria ndaj përvojave njerëzore dhe vlerësimi i thellë për marrëdhënien mes dritës, natyrës dhe emocioneve. Në punën e tij si drejtor fotografie, ai synon autenticitetin dhe jo përsosmërinë, duke gjetur bukurinë te drita natyrore, momentet e sinqerta, gjestet e përmbajtura dhe atmosfera karakteristike e një vendi të caktuar.
Qasja e tij ndaj realizimit të filmave mbështetet në vëzhgim, durim dhe bindjen se imazhet e fuqishme nuk krijohen vetëm përmes saktësisë teknike, por mbi të gjitha përmes lidhjes emocionale me historinë dhe njerëzit që qëndrojnë përpara kamerës.
Njohja e tij ndërkombëtare erdhi me dokumentarin e metrazhit të gjatë Honeyland (2019), me regji të Tamara Kotevskës dhe Ljubomir Stefanovit. Filmi u nominua për dy çmime Oscar, në kategoritë Filmi më i Mirë Dokumentar dhe Filmi më i Mirë Ndërkombëtar, duke fituar vlerësim ndërkombëtar për rrëfimin e tij të jashtëzakonshëm vizual.
Kinematografia e Honeyland u vlerësua gjithashtu me çmimin ASC Documentary Award dhe çmimin ndërkombëtar IMAGO për Kinematografinë më të Mirë në një Dokumentar.
2. Juria e dytë
Doruntina Kastrati
Doruntina Kastrati është artiste pamore që jeton dhe punon në Prishtinë, Kosovë. Praktika e saj artistike përfshin skulpturën, instalacionin dhe imazhin në lëvizje.
Ndër prezantimet e përzgjedhura të punës së saj janë: Röda Sten Konsthall, Göteborg (2026); Tinguely Museum, Basel (2026); 18th Istanbul Biennial, Stamboll (2025); Autostrada Biennale, Prizren (2025); Sharjah Biennial 16, Sharjah (2025); 60th Venice Biennale (2024); Manifesta 14, Prishtinë (2022); MAXXI National Museum, Romë (2022); KADIST, Paris (2022); Hessel Museum of Art, New York (2021); Kunstverein in Hamburg (2021); ChertLüdde, Berlin (2021), ndër të tjera.
Ajo ka marrë pjesë në rezidenca artistike në ISCP në New York (2015), Art House në Shkodër (2018) dhe Initiators në Athinë (2018). Në vitin 2014 mori çmimin YVAA nga Galeria Kombëtare e Kosovës, ndërsa në vitin 2017 mori çmimin Hajde x 6 Award nga Hajde Foundation.
Në 60th Venice Biennale (2024), Kastrati përfaqësoi Kosovën me The Echoing Silences of Metal and Skin, një instalacion skulpturor dhe zanor që u vlerësua me Special Mention nga juria e bienales.
Hanis Bagashov
Hanis Bagashov (i lindur në vitin 1999 në Maqedoninë e Veriut) ka diplomuar në regji filmi në Akademinë Kombëtare të Arteve Teatrore dhe Kinematografike në Sofje, Bullgari. Ai është pjesëmarrës për herë të dytë në programin Berlinale Talents dhe është gjithashtu alumnus i programeve Sarajevo Talents, IDFA Academy, Doc Around Europe, LIM - Less is More dhe European Short Pitch.
Filmi i tij më i fundit i shkurtër, Dogs Have No Dreams, pati premierën në Festivalin e Filmit në Sarajevë dhe aktualisht po prezantohet në qarkun e festivaleve ndërkombëtare, së bashku me filmat e tij të mëparshëm të shkurtër, Mushrooms Grow in Memory dhe The Rabbit Is Dead.
Punimet e tij fotografike janë ekspozuar në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup. Si aktor, ai ka luajtur në filmat When the Day Had No Name, me regji të Teona Strugar Mitevskës, dhe Sisterhood, me regji të Dina Dumës.
Hanis Bagashov është gjithashtu programues i konkurrencës studentore në Festivalin Ndërkombëtar të Kinematografisë "Vëllezërit Manaki" (Manaki Brothers ICFF).
Driant Zeneli
Driant Zeneli (lindur në vitin 1983 në Shkodër, Shqipëri) është artist pamor dhe regjisor, i cili jeton dhe punon mes Torinos dhe Tiranës. Praktika e tij artistike përfshin filmin, videon, instalacionin dhe performancën, duke eksploruar marrëdhëniet mes imagjinatës, dështimit, teknologjisë dhe mundësive të së pamundurës.
Përmes narrativave spekulative, elementeve të fantashkencës, mitologjisë dhe ekologjisë, Zeneli krijon botë poetike dhe situata hipotetike që vënë në pikëpyetje kufijtë mes reales dhe imagjinares, natyrës dhe teknologjisë, individit dhe shoqërisë.
Në vitin 2019, ai përfaqësoi Shqipërinë në Bienalen e 58-të të Venecias. Ka prezantuar punën e tij në institucione dhe ekspozita ndërkombëtare, përfshirë Sharjah Biennial, Manifesta, Centre Pompidou në Paris dhe ZKM në Karlsruhe.
Valmira Hyseni
Valmira Hyseni është producente, regjisore dhe skenariste me bazë në Prishtinë, Kosovë. Ka përfunduar studimet për Regji Filmi në Universitetin e Prishtinës. Valmira është bashkëthemeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Plan Bee Films, një kompani produksioni në ngritje, e përkushtuar ndaj zhvillimit të projekteve të guximshme filmike me orientim ndërkombëtar. Ajo është gjithashtu anëtare e bordit të Shoqatës së Producentëve të Kosovës.
Me më shumë se 15 vjet përvojë në industrinë e filmit, ajo ka prodhuar filma të shumtë të shkurtër, të metrazhit të gjatë dhe dokumentarë, të cilët janë shfaqur në qindra festivale ndërkombëtare, përfshirë Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në San Sebastián, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kajro, Festivalin e Filmit në Torino, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Busan dhe shumë të tjerë.
Aktualisht, është në post-produksion të filmit të metrazhit të gjatë Dua të shkoj sërish në det, me regji të Leart Ramës. Si regjisore dhe producente, së fundmi ka përfunduar filmin e shkurtër Keep Going, i cili aktualisht po shfaqet në festivale. Aktualisht është duke punuar në skenarin e filmit të saj të parë të metrazhit të gjatë, Gëzuar për ditët e mbetura, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës për zhvillim skenari. Përveç kësaj, Valmira po prodhon Incognito, filmin e dytë të metrazhit të gjatë të Zgjim Terziqit, dhe po bashkëprodhon disa projekte ndërkombëtare të filmave të metrazhit të gjatë.
Veton Nurkollari
Vetoni është anëtar i komitetit të nominimeve të Cinema Eye Honors, një organizatë me seli në Nju-Jork, e cila vlerëson dhe nderon arritjet e jashtëzakonshme artistike dhe profesionale në fushën e filmit dokumentar. Ai është gjithashtu anëtar i Komitetit të Filmit Dokumentar të Akademisë Evropiane të Filmit (EFA) dhe një nga anëtarët themelues të bordit të The Albanian Cinema Project, një nismë që synon të rrisë ndërgjegjësimin, vëmendjen dhe të ofrojë mbështetje për gjendjen e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit Shqiptar.
Vetoni kuron rregullisht programe filmike dhe merr pjesë si anëtar jurie në festivale të ndryshme të filmit. Aktualisht është i angazhuar në mentorimin dhe mbështetjen profesionale të kineastëve të rinj dokumentarë nga Kosova, në kuadër të projekteve "Future is Here" dhe "Heritage Space".
Veton Nurkollari është anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit (European Film Academy) dhe i Parlamentit Evropian të Kulturës (European Cultural Parliament).
3. Juria e tretë
Milot Hoxha
Milot Hoxha është skenarist me 10 vite përvojë në shkrimin e serialeve televizive. Është autor i mbi 200 episodeve të realizuara, kryesisht në zhanret komedi-dramë dhe sitcom. Është i njohur për aftësinë e tij në krijimin e personazheve tërheqëse dhe situatave humoristike të frymëzuara nga jeta e përditshme. Ka qenë pjesë e krijimit të disa serialeve të suksesshme, ndër to edhe seriali kult "Egjeli" (Stupcat). Po ashtu, është autor i filmave të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër dramatik.
Është gjithashtu autor dhe interpretues i mbi 150 këngëve të realizuara, me një repertor të fokusuar në tema sociale, satirë dhe humor. Përmes muzikës ka trajtuar realitetin e përditshëm në Kosovë, duke përdorur ironinë, humorin dhe kritikën sociale si mënyrë për të komentuar problemet që kanë ndikuar dhe penguar jetën shoqërore në vend. Muzikën e ka parë edhe si një formë proteste dhe reagimi artistik ndaj dukurive, padrejtësive dhe problemeve që kanë shoqëruar shoqërinë kosovare. Ka gjithsej 27 vite përvojë dhe njihet me nofkën "Taste2".
Arta Dobroshi
Arta Dobroshi është aktore kosovare, e lindur në Kosovë dhe e rritur mes Prishtinës, Tiranës dhe Karolinës së Veriut. Gjatë luftës së Kosovës, në vitin 1999, ajo ndihmoi refugjatët në Maqedoni, duke kontribuar në ndërtimin e një spitali në kampin e refugjatëve.
Pas studimeve në Akademinë e Arteve në Prishtinë, ajo u angazhua në teatër, filma të shkurtër dhe shfaqje të ndryshme artistike.
Ajo fitoi famë ndërkombëtare me rolin e Lornës në filmin Le Silence de Lorna, për të cilin u vlerësua dhe u nominua në festivale e çmime prestigjioze ndërkombëtare.
Dobroshi ka fituar çmimin Barbara Tipple për aktoren më të mirë për filmin Three Worlds dhe është nderuar me çmimin European Shooting Star në Festivalin e Filmit Berlinale. Gjithashtu, për rolin e saj në filmin Stray, fitoi çmimin për aktoren më të mirë në Festivalin des Antipodes në Saint-Tropez.
Yll Çitaku
I lindur në vitin 1979, Yll Çitaku diplomoi si regjisor filmi në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 2001, filmi i tij Të Rri Apo Të Shkoj fitoi Çmimin e Filmit Më të Mirë në edicionin e parë të DokuFest, në Prizren. Disa prej filmave të tij janë: Tatita (2005), Lëviz me Mua (2007), Muri i Kaltër Dera e Kuqe (2009), Përtej Rrugës (2009), Nusja Jonë (2010) dhe Kali (2014). Ka bashkëthemeluar Koperativa, ku vazhdon të punojë në fushën e filmave artistikë dhe dokumentarë, reklamave televizive, videove muzikore dhe prodhimeve të tjera të artit vizual.
Alush Gashi
Alush Gashi është punëtor kulturor nga Prishtina. Mes viteve 2018-2024 ai ishte udhëheqës i Kino ARMATA, hapësirës publike në Prishtinë që promovon kulturën alternative dhe dialogun shoqëror. Gjithashtu është edhe themelues i No Recess, një platformë arti me fokus në muzikë dhe film, dhe i INIT, agjenci komunikimi dhe kompani prodhimi filmash.
Me përvojë akademike në ekonomi, gazetari dhe shkenca kompjuterike, si dhe vite përfshirjeje në menaxhimin e projekteve të lidhura me median, ai është regjisor dhe producent i katër filmave dokumentarë dhe një kontribues i shpeshtë në median lokale dhe ndërkombëtare mbi tema shoqërore dhe kulturore. Në vitin 2023 ai u bë anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit (EFA), komunitetit më të madh të kineastëve në Evropë, që synon të ndajë njohuri dhe të edukojë audiencën e të gjitha moshave rreth kinemasë evropiane.
Arba Hatashi
Arba Hatashi, e lindur dhe e rritur në Pejë, Kosovë, është menaxhere e kulturës dhe ish-drejtoreshë e Festivalit Anibar, me mbi një dekadë përvojë në zhvillimin kulturor, animacion, edukim dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Ajo e filloi karrierën në Anibar në vitin 2014 si vullnetare dhe më pas kaloi në role të koordinimit dhe menaxhimit të programeve, përpara se të emërohej Drejtoreshë e Festivalit në vitin 2019. Gjatë mandatit të saj shtatëvjeçar, deri në vitin 2026, ajo udhëhoqi tetë edicione të festivalit ndërkombëtar të animacionit, duke mbikëqyrur zhvillimin artistik dhe operacional, programin, prodhimin, mbledhjen e fondeve, partneritetet dhe ekipet multidisiplinare. Në këtë proces, bashkëpunoi ngushtë me artistë, regjisorë, institucione, donatorë dhe organizata kulturore ndërkombëtare.
Krahas festivalit, nga viti 2018 deri në vitin 2024, ajo ishte bashkëthemeluese dhe menaxhere e Anibar Animation Academy, ku zhvilloi programet edukative dhe kontribuoi në rritjen e edukimit joformal në animacion për të rinjtë në Kosovë. Ajo gjithashtu kontribuoi në zhvillimin e Kinemasë Jusuf Gërvalla në Pejë si hapësirë multifunksionale kulturore, si dhe në realizimin e një sërë projektesh kulturore dhe ndërkombëtare.
Përvoja e saj përfshin prodhimin e festivaleve, edukimin në animacion, zhvillimin e projekteve, mbledhjen e fondeve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Puna e saj përqendrohet në zhvillimin e programeve kulturore, mbështetjen e profesionistëve kreativë dhe fuqizimin e sektorit të animacionit dhe kulturës në Kosovë dhe rajon.