close

Anibar-i, Dokufest-i e Prifest-i planifikojnë të mbahen këtë vit

Në konsultimin e fundit të përbashkët në mes të tri festivaleve të Kosovës, Prifilm Festit, Dokufestit, e Anibarit, dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës, u diskutua rreth mënyrave të organizimit të edicioneve të këtij viti në kontekstin e ri të krijuar përshkak të pandemisë Covid 19.  

Të trija festivalet do të mbahen këtë vit por duke zbatuar dhe përshtatur mënyrën e organizimit që të respektohen në plotni rekomandim e dhëna, dhe vendimet që do të mirren nga Ministria e Shëndetësisë, Qeveria dhe organet e rendit.  

Drejtori artistik i Dokufest z. Veton Nurkollari tha që: “DokuFest-i vazhdon me përgaditjet për organizimin e edicionit të XIX të Festivalit, e paraparë të mbahet në Prizren nga data 7 Gusht 2020. Në ndërkohë Festivali do ti përcjell masat e rekomanduara nga qeveria e Kosovës në lidhje me ngjarjet publike dhe ato të distancimit social dhe bazuar në to do ta dizajnoj edhe aktivitetet.

Ndërsa Vjosa Berisha drejtoreshë e PriFest-it u shpreh: "Ne jemi duke punuar bashkë me konsulentët ndërkombëtar të festivalit, dhe në të njejten kohë duke shikuar mundësitë se si do t'a modifikojmë festivalin për t'u përshtatur me situatën e krijuar për shkak të pandemisë. Datat nuk do t'i lëvizim janë 14-19 korrik, por do të detyrohemi që t'i bëjmë disa aktivitete online përshkak të vështirësive që mund të hasim për të sjellur ekspert dhe profesionist të industrisë nga vendet tjera në Prishtine këtë vit. Kurse filmat po i shikojmë mundesitë që të shfaqen në disa lokacione open air për të evituar cfarëdo rrezikshmërie nga virusi. Gjithsesi planet janë në përpunim e siper dhe sapo të kemi informacione më definitive duke u bazuar edhe në ndryshimin e masave, do të marrim edhe vendimin se si do të duket edicioni i 12të i PriFest."

Arba Hatashi - Drejtoreshë e festivalit të Anibar-it shtoi: "Momentalisht ekipi i festivalit Anibar është duke punuar në organizimin e festivalit si dhe të aktiviteteve që ky edicion do të ketë, sidomos në kushtet e krijuara nga pandemia COVID-19. Si festival që veç kemi hyrë në vitin e 11 e së bashku edhe me festivalet e tjera, patjetër se do të ndikohemi nga situata e krijuar nga pandemia e cila tashmë ka prekur çdo pore të jetës. Duke i ndjekur me kujdes zhvillimet të cilat po ndodhin në vendin tonë por edhe në botë, ne do të veprojmë në bazë të rekomandimeve në nivel kombëtar por edhe në bazë të këshillave të organizatave ndërkombëtare lidhur me mbarvajtjen e aktiviteteve të festivalit dhe modifikimet e tyre të nevojshëm. Ne jemi duke punuar në mënyrë të vazhdueshme lidhur me krijimin e kushteve që festivali i cili është paraparë që të mbahet me data 13-19 korrik, të vazhdojë të jetë në shërbimin të komuniteit lokal, kombëtar e ndërkombëtar."

Partnerët tanë