close

QKK DHE RTK NËNSHKRUAJNË MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI PËR ZHVILLIMIN DHE PROMOVIMIN E KINEMATOGRAFISË KOSOVARE

Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) dhe Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) kanë nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi me synim forcimin e partneritetit institucional për zhvillimin, promovimin dhe ndërkombëtarizimin e kinematografisë dhe sektorit audiovizual të Republikës së Kosovës.

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Radiotelevizionit të Kosovës, Zana Spahiu, duke vendosur një kornizë bashkëpunimi trevjeçare ndërmjet dy institucioneve. Dokumenti synon rritjen e prezencës së RTK-së në prodhimet dhe bashkëprodhimet filmike, promovimin e filmit kosovar brenda dhe jashtë vendit, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet transmetuesit publik dhe industrisë filmike.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, QKK dhe RTK do të bashkëpunojnë në:

  • prodhime dhe bashkëprodhime filmike;
  • promovimin e veprave audiovizuale kosovare;
  • mbulimin mediatik të festivaleve dhe ngjarjeve filmike;
  • organizimin e aktiviteteve profesionale dhe edukative;
  • promovimin ndërkombëtar të filmit kosovar;
  • ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë filmike të Kosovës;
  • promovimin e Kosovës si destinacion për xhirime dhe nxitjen e investimeve në industrinë audiovizuale;
  • zhvillimin e projekteve të tjera me interes të përbashkët që kontribuojnë në avancimin e sektorit kinematografik dhe audiovizual.

Përmes kësaj marrëveshjeje, RTK do të mund të angazhohet si partner mediatik, bashkëprodhues apo mbështetës i projekteve filmike, duke ofruar mbështetje promovuese, teknike dhe programore, si dhe duke promovuar veprat filmike kosovare në platformat e saj televizive, radiofonike dhe digjitale. Ndërkaq, QKK do të kontribuojë në identifikimin dhe promovimin e projekteve me interes për zhvillimin e kinematografisë, do të ofrojë materiale promovuese dhe informative për nevoja të transmetimit, si dhe do ta promovojë RTK-në si partner institucional në projektet ku ajo kontribuon.

Një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit do t'i kushtohet edhe promovimit ndërkombëtar të filmit kosovar në festivale, tregje filmike dhe ngjarje të tjera ndërkombëtare, si dhe krijimit të partneriteteve me transmetues publikë, institucione kulturore dhe organizata ndërkombëtare.

Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional në shërbim të zhvillimit të industrisë së filmit në Kosovë dhe rritjes së prezencës së saj në skenën ndërkombëtare.

Marrëveshja e plotë

Partnerët tanë