Filmi “Dua” do ta përfaqësojë Kosovën në edicionin e 99-të të Academy Awards
Komiteti Përzgjedhës i angazhuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës ka përzgjedhur njëzëri filmin “Dua” me regji nga Blerta Basholli dhe prodhim të Ikonë Studio, si propozimin zyrtar të Republikës së Kosovës për kategorinë International Feature Film në edicionin e 99-të të Academy Awards.
Më poshtë gjeni deklaratën e Komitetit Përzgjedhës të përbërë nga Kaltrina Krasniqi (kryesuese), Antoneta Kastrati, Ilir Hasanaj, Tristan Halilaj, Vullnet Sanaja:
“Komitetit përzgjedhës e vlerësoi si veçanërisht të guximshme zgjedhjen artistike për ta rrëfyer një histori kaq komplekse përmes këndvështrimit të një të miture. Personazhi i Duas, i interpretuar me pjekuri të jashtëzakonshme nga Pinea Matoshi, sjell një performancë autentike, të besueshme dhe emocionalisht përmbajtësore.
Përmes vizionit të saj autorial, Blerta Basholli ndërton një rrëfim të ndjerë, që trajton sinqertë një periudhë të rëndësishme të historisë së Kosovës. Duke ndërthurur një perspektivë intime me temat universale të identitetit, traumës dhe rezistencës, Dua dëshmon potencial të qartë për të rezonuar me audienca dhe juri ndërkombëtare. Andaj, komiteti vendosë unianimisht që Dua të jetë propozimi i Kosovës për edicionin e 99-të Çmimeve Oscar.”
Ky vit shënon një moment të veçantë për kinematografinë kosovare, pasi Kosova do të përfaqësohet në garën për Academy Awards® me dy filma. Krahas filmit “Dua”, filmi “Shame and Money” nga Visar Morina, fitues i Grand Jury Prize në Sundance Film Festival, është kualifikuar drejtpërdrejt në garën për çmimet Oscar.