close

Thirrje për Propozime për Përfaqësimin e Republikës së Kosovës në Kategorinë “Filmi Ndërkombëtar Artistik” të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit

Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), institucioni kryesor publik për financimin dhe zhvillimin e kinematografisë në Republikën e Kosovës, fton producentët dhe mbajtësit e të drejtave të filmave të dorëzojnë propozimet e tyre për përfaqësimin zyrtar të Republikës së Kosovës në kategorinë “Filmi Ndërkombëtar Artistik” të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit (AMPAS), për edicionin e 99-të.

Kriteret e Përfshirjes

Në këtë kategori përfshihen filmat e metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë dhe të animuar më të gjatë se 40 minuta, që janë shfaqur ose do të shfaqen në kinema për më së paku 7 ditë radhazi, jo më herët se 1 tetor 2025 dhe jo më vonë se 30 shtator 2026.

Gjatë periudhës kualifikuese dhe gjatë shfaqjes në kinema, filmi duhet të reklamohet dhe të shpërndahet në mënyrë të zakonshme për një premierë kinematografike (theatrical release), në përputhje me praktikat standarde të industrisë.

Filmat që realizojnë shfaqje publike jashtë kinemave përpara shfaqjes së tyre kualifikuese nuk do të merren në konsideratë. Këto përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në: transmetimet televizive ose kabllore, PPV/VOD, shpërndarjen në DVD, shfaqjet gjatë fluturimeve ajrore, transmetimet online etj.

Filmi duhet të ketë titra në gjuhën angleze dhe të përmbushë të gjitha kriteret e tjera të përcaktuara në rregulloren e Akademisë.

Shkarko rregulloren e plotë të Akademisë për kategorinë “Filmi Ndërkombëtar Artistik” – Edicioni i 99-të

Aplikimi

Afati i fundit për aplikim: 26 qershor 2026, ora 16:00

Email: [email protected]

Adresa postare:

Qendra Kinematografike e Kosovës
Rruga UÇK Nr. 273
10000 Prishtinë
Kosovë

Procesi i Formimit dhe Funksionimit të Komitetit të Përzgjedhjes

Qendra Kinematografike e Kosovës është institucioni përgjegjës për formimin e Komitetit të Përzgjedhjes për kategorinë “Filmi Ndërkombëtar Artistik” të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit. Ky proces zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe transparente, duke garantuar pavarësinë, profesionalizmin dhe integritetin e përzgjedhjes.

Verifikimi i pranueshmërisë

Pas përfundimit të afatit të aplikimit, Qendra Kinematografike e Kosovës verifikon nëse secili film i dorëzuar i plotëson kriteret formale të përcaktuara nga Akademia. Vetëm filmat që plotësojnë këto kritere i kalohen Komitetit të Përzgjedhjes për shqyrtim dhe vlerësim.

Thirrja e hapur

Metoda e identifikimit të filmave është thirrja e hapur. QKK publikon ftesën për aplikime në faqen zyrtare të internetit dhe në kanalet zyrtare të mediave sociale, duke ftuar të gjithë producentët dhe mbajtësit e të drejtave të filmave që plotësojnë kriteret të dorëzojnë veprat e tyre për shqyrtim. Nuk aplikohet tarifë aplikimi.

Përbërja e Komitetit

Komiteti përbëhet nga pesë profesionistë të respektuar dhe aktivë të industrisë së filmit në Kosovë. Përbërja ndryshon pothuajse çdo vit dhe anëtarët emërohen vetëm pasi të ketë përfunduar afati për dorëzimin e filmave, me qëllim shmangien e konflikteve të interesit. Asnjë person i përfshirë drejtpërdrejt ose që përfaqëson interesat e ndonjë filmi të dorëzuar nuk mund të jetë pjesë e Komitetit.

Anëtarët dhe Kryetari i Komitetit emërohen nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Kryetari emërohet duke marrë parasysh përvojën profesionale, aftësinë për të udhëhequr diskutimin në mënyrë të paanshme dhe për të garantuar zhvillimin e rregullt të procesit të përzgjedhjes.

Procesi i Vlerësimit

Të gjithë anëtarët e Komitetit janë të obliguar të shikojnë të gjithë filmat e dorëzuar përpara mbledhjes zyrtare.

Gjatë mbledhjes zhvillohet një diskutim profesional, ku secili anëtar paraqet vlerësimin dhe komentet e tij.

Procesi i vendimmarrjes bazohet në shumicën e votave. Fillimisht vendoset nëse Republika e Kosovës do të paraqesë një kandidaturë për atë vit. Në rast se vendimi është pozitiv dhe ka më shumë se një film të kualifikuar, secili anëtar rendit filmat sipas preferencës.

Filmi i renditur i pari merr pikë të barabarta me numrin e filmave të kualifikuar, ndërsa secili film pasues merr një pikë më pak. Filmi që grumbullon numrin më të madh të pikëve shpallet përfaqësuesi zyrtar i Republikës së Kosovës.

Transparenca

Diskutimet e Komitetit mbeten konfidenciale. Pas përfundimit të procesit, Qendra Kinematografike e Kosovës publikon emrin e filmit të përzgjedhur dhe konfirmon se procesi është zhvilluar në përputhje me këtë procedurë dhe me rregulloren e Akademisë.

Shënim: Kjo thirrje është hartuar në përputhje me udhëzimet e Akademisë për përdorimin e markave tregtare. Për këtë arsye nuk përdoren markat tregtare të Akademisë (“OSCAR®”, “OSCARS®”, “ACADEMY AWARD®”, “ACADEMY AWARDS®”) në titull apo nën-titull dhe nuk paraqitet imazhi i statujës së Oscar-it.

 

Partnerët tanë