close

FILMI “ZBARDHJE” FITON MBËSHTETJE NGA HUBERT BALS FUND

“Zbardhje”, filmi i ri artistik i Kaltrina Krasniqit, është përzgjedhur për mbështetje nga Fondi Hubert Bals i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Roterdam nëpërmjet skemës HBF+EU Minority Co-Production. Ky lajm u bë i ditur sot si pjesë e raundit pranveror të financimit.

I vendosur në Prishtinën bashkëkohore, “Zbardhje” vëzhgon se si gjinia, klasa dhe vetëdija për trupin formësojnë takimet e përditshme mes grave që jetojnë në të njëjtën qytet, por në rrethana shumë të ndryshme, duke zbuluar kufijtë e brishtë mes përkujdesjes dhe punës në mjegullnajën e ekonomive informale. Me skenar nga Doruntina Basha, filmi prodhohet nga Ares Shporta për Vera Films, në bashkëprodhim me Portokal (Bullgari), Papadhimitri Productions (Shqipëri) dhe Code Blue Production (Mali i Zi).

“Pasi u bëra nënë, m’u desh të lundroja në botën informale të përkujdesjes dhe punës shtëpiake, duke takuar punëtore që punojnë në shtëpi private, pa kontrata apo mbrojtje ligjore. Bashkë me Doruntina Bashën, filluam t’i dëgjojmë gratë që punojnë brenda këtij ekosistemi informal, një ekosistem që shpesh nxit krijimin e mjediseve të pabarabarta. ‘Zbardhje’ është frymëzuar nga ato biseda. Fondi Hubert Bals ka qenë partner thelbësor që nga faza e zhvillimit të këtij projekti, andaj jemi mirënjohës për mbështetjen.” – shprehet regjisroja Kaltrina Krasniqi

Duke funksionuar si një fond kuratorial dhe jokomercial, Hubert Bals Fund ndër vite ka mbështetur mbi 1400 projekte, shumë prej të cilave kanë pasur premierë në Festivalin e Kanës, Festivalin e Venecias dhe Berlinale. Skema HBF+EU Minority Co-Production, nëpërmjet së cilës financohet filmi “Zbardhje” është krijuar posaçërisht për të tërhequr bashkëprodhues evropianë dhe për të lidhur projekte filmike me qarkun ndërkombëtar të kinemasë arthouse.

Xhirimet për “Zbardhje” fillojnë këtë javë në Prishtinë. Detaje të mëtejshme mbi prodhimin dhe partnerët e tjerë institucionalë do të konfirmohen në ditët në vijim.

HBF+Europe mbështetet nga programi Creative Europe — MEDIA i Bashkimit Evropian.

Partnerët tanë