close

Filmi BABAI në Konkurrencën Kryesore të Festivalit të Filmit në Karlovy Vary

Filmi “Babai”, me skenar dhe regji të Visar Morinës, një bashkëprodhim në mes të Kosovës, Gjermanisë, Maqedonisë dhe Francës dhe mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), do ta ketë premierën ndërkombëtare në konkurrencën zyrtare ndërkombëtare të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Karlovivari (KVIFF) në Republikën Çeke që do të mbahet prej 3-11 korrik 2015, që është një ndër festivalet më të rëndësishme në industrinë e filmit artistik të metrazhit të gjatë në botë.

Kjo është hera e parë që një film i metrazhit të gjatë nga Kosova merr pjesë në konkurrencën kryesore të KVIFF dhe njëherit Visar Morina është regjisori i parë kosovar filmi i të cilit merr pjesë në konkurrencën zyrtare të një festivali ndërkombëtar të filmit të metrazhit të gjatë të kategorisë A siç është KVIFF.

“Babai” është prodhuar nga NikoFilm, Gjermani, Produksioni Krusha, Kosovë, Skopje Film Studio, Maqedoni dhe Eaux Vives Productions, Francë dhe është filmi më i shtrenjtë që është realizuar kohëve të fundit në Kosovë. Pos mbështetjes nga QKK, filmi është mbështetur nga fondacionet gjermane të filmit si Film und Medien Stiftung NRW, fondacioni FFA, fondacioni Nordmedia, pastaj Fondi Maqedonas i Filmit, fondacioni francez Cinema Du Monde dhe nga televizioni publik gjerman WDR si dhe televizioni publik gjermano-francez ARTE.

“Babai" e shtjellon rrëfimin e Norit (Val Maloku) një fëmijë i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta ku babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani e i biri bën çdo gjë për të qenë me të. Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë-bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.

“Babai është prodhuar nga një ekip filmik ndërkombëtar dhe me shumicën e aktorëve kosovarë. Skenari dhe regjia: Visar Morina; Drejtor i fotografisë: Matteo Cocco; Montazhi: Stefan Stabenow; Muzika: Benedikt Schiefer; Skenografia: Jutta Freyer; Kostumografia: Genoveva Kylburg; Grimi: Astrid Weber;Toni: Igor Popovski; Producentë: Nicole Gerhards, Visar Krusha, Tomi Salkovski, Xenia Margot si dhe shumë anëtarë tjerë të ekipit të filmit nga Gjermania, Kosova, Maqedonia dhe Franca.
Luajnë: Astrit Kabashi, Enver Petrovci, Adriana Matoshi, Aurita Agushi, Armend Ismajli, Alban Ukaj, Xhevdet Jashari etj. si dhe djaloshi Val Maloku i cili paraqitet për herë të parë në film.

Partnerët tanë