Dija dhe talenti evoluojnë së bashku
Artet mediale janë arte kreative të zhvillimit të produkteve audio-vizuale përmes formave e zhanreve të ndryshme të paraqitjes së imazhit lëvizës. Synimi i këtij programi është të gërshetojë njohuri e teknika nga të gjitha artet dhe teknologji të avancuar në funksion të zhvillimit produkteve mediale të nivelit të lartë profesional dhe artistik.
Një ndër pyetjet kryesore të studentëve para se të regjistrohen në këtë program është: çka do të bëhem nëse studioj në programin BA “Arte mediale”? Përgjigja është se studentit i mundësohet të marr njohuri të thukta në krijimin e produkteve mediale si: filmi i shkurtër, filmi i gjatë, filmi dokumentar, video-reportazhi, intervista në studio, transmetimi i drejtpërdrejtë, skenari për film dhe televizion, animacioni dixhital, etj. Por, ai/ajo mund të specializojë si producent, gazetar, regjisor, etj.
Ajo që e bën unik këtë program është se programi orienton studentët kah procesi profesional i planifikimit dhe realizimit të mirëfilltë të tregimit. Të gjitha tekstet mediale realizohen duke pasur parasysh faktin se janë tregime që shfaqen para shikuesit. Që nga Horaci e këndej, e dimë se tregimet duhet të jenë dulce et utile – të këndshme dhe të dobishme.
Studimet në arte mediale bëhen brenda spektrit të ndarë në profilin e produksionit dhe atë të gazetarisë televizive. Kjo ndarje ka synuar të ndjek frymën e zhvillimit të teksteve mediale: produksioni synon tipin e lirë të artit medial si p.sh. filmin artistik, filmin dokumentar, filmin e animuar, siglen, etj., ndërsa gazetaria televizive synon projektet specifike për televizion si intervistën, reportazhin, transmetimin e drejtpërdrejtë, emisionin specifik televiziv, etj. Sidoqoftë, viti i parë akademik është i njëjtë për të dy profilet. Viti i dytë dhe i tretë ndryshojnë dhe si të tillë i japin natyrë specifike kurrikulës përkatëse.
Krahas praktikës profesionale në projektet konkrete dhe të shfaqura e transmetuara para publikut të gjerë në manifestime e televizione, studentët mësojnë se si të hulumtojnë dhe analizojnë potencialin estetik e komunikativ të teksteve mediale që nga fotografia e deri të filmi.
SHLPA Evolucion ka marrëveshje partneriteti me RTV21 nëpërmes së cilës studentëve tanë u mundësohet të kryejnë një pjesë praktike në studiot e këtij mediumi. Shkolla po ashtu posedon edhe studionë e saj të video-produksionit të pajisur me teknologji të standardit aktual në industrinë e video-produksionit.
Për më shumeë klikoni KËTU