close

Nënshkruhet marrëveshja me First Cut Lab në Berlinale

Nënshkruhet marrëveshja me First Cut Lab në Berlinale

Përveç shumë takimeve dhe diskutimeve të realizuara në kuadër të prezencës së QKK-së në Tregun Evropian të Filmit në Berlinale, me 21 shkurt u nënshkrua edhe marrëveshja në mes QKK-së dhe Tatino Films e cila parasheh trajtim të veçantë tre vjeçar (2023-2025) për filma të Kosovës përmes realizimit të punëtorive në kuadër të programit të dedikuar - First Cut Lab Kosovo.

Qëllimi i First Cut Lab është të mundësohet arritja e potencialit artistik të filmave dhe njëkohësisht rritja e vlerës së filmave në tregun ndërkombëtar dhe prezencës së tyre në festivale të rëndësishme. Në First Cut Lab kanë kaluar një numër i konsiderueshëm i filmave të suksesshëm nga Kosova si ‘Vera andrron detin’, ‘Në kërkim të Venerës’ etj.

Ekipeve të përzgjedhura (regjisor/producent/montazher) u ofrohet një kornizë krijuese, sa e kujdesshme aq edhe dhe sfiduese, që ka për qëllim hapjen e perspektivave të reja dhe eksplorimin e të gjithë potencialit artistik që ngërthen materiali dhe bota e filmave të tyre. Ata shfaqin montazhën e tyre të parë në një seancë private dhe marrin komente ekspertësh ndërkombëtarë të industrisë së filmit, si dhe këshilla specifike nga një redaktor konsulent. Ekspertët dhe këshilltarët e industrisë do të përcaktohen sipas profileve të filmit të përzgjedhur.

Në kontekst të punës drejt rritjes së potencialit të filmave të Kosovës, përveç ofrimit të ekspertizës për fazën e montazhës, drejtuesi i QKK-së, z. Lum Çitaku ka zhvilluar takime në drejtim të ofrimit të mbështetjes më sistematike edhe për fazën e zhvillimit të skenarit të filmave nga Kosova.

Partnerët tanë