Rabati për Prodhimet Ndërkombëtare në Kosovë
Rabati për Prodhimet Ndërkombëtare në Kosovë zbatohet për projekte që realizohen tërësisht ose pjesërisht në Kosovë dhe që nxisin investime të huaja në sektorin e filmit dhe prodhimeve audio-vizuale.
Sektori: Kinematografia - Audiovizual - Inovacioni dhe shërbimet teknike
Forma e mbështetjes financiare: Rabat 30%
Kush e ofron rabatin?
Rabati ofrohet nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, duke u bazuar në një marrëveshje të lidhur ndërmjet një kompanie vendore të prodhimit dhe investitorit të huaj. Shuma e rabatit transferohet në llogarinë bankare të kompanisë vendore në Kosovë, e cila duhet të jetë dedikuar vetëm për projektin audio-vizual.
Afati i Aplikimit:
- I hapur gjatë gjithë vitit
Sa është shuma e rabatit?
Rabati për prodhimet audio-vizuale është 30% e shpenzimeve të pranueshme të kryera në Kosovë.
Prodhimet që marrin edhe fonde publike nga Republika e Kosovës mund të përfitojnë rabatin për shpenzimet që janë realizuar tërësisht në vend, por totali i përfitimeve (fonde publike + rabat) nuk mund të kalojë 50% të buxhetit të përgjithshëm të prodhimit.
Cilat janë shpenzimet e pranueshme?
Rabati mbulon 30% të shpenzimeve të mëposhtme, të realizuara në Kosovë (pa përfshirë TVSH-në):
-Pagat dhe kontributet sociale për skenaristët, aktorët dhe stafin teknik vendor.
-Shërbime teknike të ofruara nga kompani të specializuara në Kosovë.
-Shpenzime udhëtimi, transporti dhe ushqimi gjatë prodhimit.
-Shpenzime për pajisje të përdorura në territorin e Kosovës.
Kush ka të drejtë për rabat?
- Aplikanti duhet të jetë një entitet biznesor i regjistruar në Kosovë për prodhime audio-vizuale, ose një filial i një kompanie të huaj.
- Investitori i huaj duhet të lidhë kontratë me një kompani vendore për realizimin e projektit.
- Kompania vendore duhet të jetë e regjistruar në QKK
- Aplikanti duhet të ketë të shfaqur publikisht të paktën një (1) projekt audio-vizual në tre (3) vitet e fundit.
- Aplikanti duhet të sigurojë të paktën 50% të buxhetit për prodhimin dhe 100% të investimit të huaj në Kosovë.
Cilat janë projektet e pranueshme?
Rabati mund të jepet për projekte që përmbushin kushtet e mëposhtme:
- Të jenë filma artistikë, dokumentarë, animacione, seriale televizive, video-lojëra ose prodhime të tjera audio-vizuale të ngjashme.
- Nuk pranohen projekte si ngjarje sportive, programe “reality show” apo emisione me përmbajtje politike dhe sociale të aktualitetit.
Kur mund të mblidhet rabati?
Pagesat për rabatin realizohen në këste, pas përfundimit të prodhimit dhe dorëzimit të raportit përfundimtar financiar. Për projektet e gjata, rabati mund të ndahet në deri 3 këste, ndërsa për projektet e shkurtra ose të mesme, zakonisht jepet në një këst të vetëm.
Pagesat e rabatit bëhen prej datës 1 Mars dhe 23 Dhjetor të çdo viti fiskal.
Kur fillon periudha e shpenzimeve të pranueshme?
Shpenzimet e pranueshme mund të përfshijnë shpenzimet e realizuara deri në 6 muaj para datës së dorëzimit të aplikacionit për rabat në QKK.
INFORMACION PER TVSH-NE
Kosova zbaton një normë të përgjithshme të TVSH-së prej 18% për mallrat dhe shërbimet.
TVSH-ja nuk konsiderohet si shpenzim i kualifikuar për rimbursim.
INFORMACION
Nëse keni nevojë për ndihmë për të kuptuar rregulloret ose përgatitjen e aplikimit, ju lutemi kontaktoni Qendrën Kinematografike të Kosovës (QKK).
Udhëzime për Prodhuesit Ndërkombëtarë
Qendra Kinematografike e Kosovës rekomandon që prodhuesit ndërkombëtarë, të cilët planifikojnë të realizojnë një film ose projekt televiziv në Kosovë, të bashkëpunojnë me një kompani të prodhimit të regjistruar në Kosovë. Producentët vendorë kanë marrëdhënie të mira me ekipet lokale dhe ofruesit e shërbimeve, duke ofruar një gamë të plotë shërbimesh prodhimi, përfshirë aplikimin për rabat, menaxhimin e buxhetit, kërkimin e lokacioneve, planifikimin, përzgjedhjen e aktorëve dhe rekrutimin e stafit. Profesionistët dhe shërbimet e nevojshme për prodhimin tuaj mund t’i gjeni në platformën Kosova.film