Kemi kënaqësinë e veçantë të ju njoftojmë se filmi SI E VERDHË E SËMURË / LIKE A SICK YELLOW (2024) i regjisores Norika Sefa, me producent Mentor Shala, bashkëproducent Besnik Krapi dhe Norika Sefa, do ta ketë premierën në festivalin ndërkombëtar të filmit në Roterdam, si pjesë e garës së kategorisë TIGER SHORT COMPETITION—ku sivjet garojnë gjithsej 21 filma.
Norika Sefa, fituesja e Çmimit Special të Jurisë për filmin Në Kërkim të Venerës (IFFR 2021), rikthehet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam për edicionin e 53-të me një histori magjepsëse të nxjerrë nga materialet arkivore të video kasetave të tregimeve familjare që nuk janë më. Filmi zhytet në kujtesën e Norës, ku realitetet shkrihen, e keqja dhe e bukura ndërthuren derisa gjithcka përzihet për t’u formuar diçka tjetër.
"Jam tejet e lumtur që po shkojmë në festivalin e Roterdamit, një festival që gjithmonë e ka çmuar dhe festuar kinemanë e guximshme! Po ndihem tepër me fat dhe e përmbushur që edhe një herë kam pasur mundësinë të punoj me njerëzit që u besoj dhe me të cilët ndajmë vizionin e poashtu edhe dashurinë e njëjtë për filmin" është shprehur regjisorja.
Filmi SI E VERDHË E SËMURË (23') është realizuar me mbështetjen e QKK dhe është prodhuar nga shtëpia filmike CMB. Festivali IFFR do të nisë me datën 25 janar dhe do të vazhdojë deri me datën 4 shkurt.