Filmi ‘GARDHI’ i regjisores Lendita Zeqiraj, është përzgjedhur të jetë pjesë e garës zyrtare të edicionit të 24të të Palm Springs International Short Film Festival & Film Market, ku njëherit edhe do të ketë premierën botërore.
Palm Springs International ShortFest & Film Market, mbahet prej 19 – 25 Qershor 2018, në Palm Springs, ndërsa shfaqja e parë e filmit ‘GARDHI’ me prezencë të autores, është planifikuar më datën 21 Qershor 2018.
Palm Springs International ShortFest është festivali më i madhë dhe më i rëndësishëm i filmit të shkurtër në Amerikën veriore, me më shumë se 5000 aplikime cdo vit, nga 100 shtete të ndryshme të botës.
ShortFest njërit është edhe festival kualifikues për cmimet Oscar, BAFTA dhe Los Premios Goya, dhe deri tash ka prezentuar mbi 100 filma të shkurtër të cilët janë nominuar dhe/ose shpërblyer me cmimin Oscar.
Festivali poashtu organizon të ashtuquajturin ShortFest Forum, me një varg panellesh, puntori dhe diskusione, të dizajnuara për filmbërës që t’ju ofrojnë njohuri të reja nga industria e filmit botëror.
Në film luajnë Arti Lokaj, Ilire Vinca, Xhejlane Godanci, Melihate Qena, Kumrije Hoxhaj, Rozafë Çelaj, Alketa Sylaj, Adriana Matoshi, Edita Duli, Arta Selimi, Timur Urcan, Norike Xhemajli dhe Nina, ndërsa producent Bujar Kabashi nga shtëpia filmike ‚N’art’.
GARDHI është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.