Ka nisur Festivali gjigant Montreal World Film Festival, i cili mbahet në Amerikën Veriore. Ndër filmat që do të shfaqen në MWFF, këtë herë zë vend edhe filmi kosovar “Heroi”.
Sot me datë 25 gusht 2014 jepet premiera ndërkombëtare e filmit “Heroi” nga Luan Kryeziu. Festivali rradhitet në kategorinë “A” të festivaleve dhe filmi shfaqet në kuadër të Focus on World Cinema.
“Heroi” i Luan Kryeziut është film debutues i tij si regjisor, ku luajnë: Arben Bajraktaraj, Adriana Morina, Salahudin Bilal, Çun Lajçi, Selman Lokaj, Enver Petrovci, Haqif Mulliqi etj.
Në film portretizohet jeta e një ushtari të UÇK-së, Shkëmbit (i luajtur nga Arben Bajraktaraj). Ai bën gjithçka për të qëndruar besnik ndaj idealeve të tij, për të jetuar një jetë të ndershme duke shpresuar për ditë më të mira. Krenaria e tij, etika e tij, dinjiteti kthehen kundër tij kur shoqëria më nuk ka nevojë për të.
“Heroi” do të shfaqet tri herë brenda festivalit. Sot (25 gusht) do të shfaqet prej orës 12:30 dhe prej orës 19:00, ndërsa nesër (26 gusht) shfaqet në ora 16:40.
Ky film është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe në Festival qëndrojnë një pjesë e ekipës.