Ky prezantim është realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kolumbi, në kuadër të diplomacisë kulturore dhe sipas Memorandumit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për promovimin e kulturës kosovare.
Programi u hap më 19 nëntor me shfaqjen e filmit të shumëvlerësuar ZGJOI me regji të Blerta Bashollit.
Më 20 nëntor u shfaq filmi OKARINA nga Alban Zogjani, i cili ishte i pranishëm për një bisedë të hapur me publikun pas shfaqjes.
Po të njëjtën ditë u shfaq edhe filmi ZANA me regji të Antoneta Kastratit. Pas filmit, Sevdije Kastrati, drejtoresha e fotografisë, ishte e pranishme për të ndarë procesin krijues dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të publikut.
Gjithashtu, sot më datë 21, drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, ishte paneliste në punëtorinë për filmat e metrazhit të gjatë, ku diskutoi për mundësitë e koprodhimit në Kosovë, skemën e rabatit dhe kinematografinë kosovare. Pjesëmarrës në punëtori ishin regjisorët dhe producentët e 10 projekteve pjesëmarrëse nga Peruja, Ekuadori, Meksika, Kosta Rika, Kanadaja, Kili, Argjentina dhe Kolumbia (Bogota dhe Medellín).
Falënderojmë festivalin, Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kolumbi dhe ekipet krijuese për përfaqësimin e dinjitetshëm të kinematografisë sonë.