close

Hapet shtandi i Kosovës në tregun e filmit të Berlinales

Qendra Kinematografike e Kosovës vazhdon prezencën e saj në tregun e madh të filmit, European Film Market, në festivalin prestigjioz Berlinale.


Tregu i filmit është hapur dje, 15 shkurt 2018, dhe QKK edhe sivjet ndanë shtandin me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, ku gjatë kësaj kohe, profesionistë ndërkombëtar të filmit do të kenë mundësinë të informohen me të rejat e industrisë së filmit kosovar dhe anasjelltas.


Në European Film Market tashmë janë konfimuar dhjetëra takime me përfaqësues të fondeve të filmit, producentë ndërkombëtar, programera të festivaleve, distributorë etj. ku dhe do të promovohen 61 filma të mbështetur nga QKK. Disa prej filmave të përfshirë në katalog janë: 'Cirku Fluturues' nga Fatos Berisha, 'Hana' nga Ujkan Hysaj, 'Kodra e Diellit' nga Blerim Gjoci, 'Fusha e Mëllenjave' nga Arzana Kraja, 'Aga' nga Lendita Zeqiraj, 'Familje' nga Durim Kryeziu, 'Qiej të Trazuar' nga Anton Ndreca, 'Martesa' nga Blerta Zeqiri, 'Ajo' nga More Raça, 'Klithmë' nga Korab Lecaj, 'Drita' nga Rita Krasniqi, 'Urtësia' nga Bujar Berisha, 'Aktorët e Kanës' nga Mentor Spahiu etj.
Gjithashtu në tregun e filmit EFM do të shfaqen për audiencë të caktuar dy filmat, bashkëprodhime kosovare, të mbështetura nga QKK, filmi ‘Martesa’ nga Blerta Zeqiri dhe filmi ‘Kthimi’ nga Kastriot Abdyli.


Në Berlinale do të jenë prezent edhe tre aktorët kosovarë, Andi Bajgora, Florist Bajgora, Arbresha Grabovci Nixha me filmin holandez ‘Kiem Holijanda’ nga Sarah Veltmeyer, film ky që do të ketë premierën në këtë festival në programin Generation 14plus.


Gjatë qëndrimit në Berlin, do të organizohet një koktej rasti së bashku me QKK-në e Shqipërisë, ku do të jenë të ftuar përfaqësues të fondeve ndërkombëtare të filmit, partnerë të huaj, producentë dhe përfaqësues të industrisë së filmit me qëllimin e krijimit të kontakteve dhe shkëmbimit të ideve të reja të bashkëpunimit.


Në ditët në vijim pritet që edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Kujtim Gashi të vizitoj shtandin e QKK-së në Berlinale.

Partnerët tanë