close

QKK Përkrahë 8 filma të metrazhit të gjatë

Qendra Kinematografike e Kosovës, përkatësisht juria vlerësuese në përbërje të Domenico La Porta– Kryesues, Nikolaj Nikitin, Pavel Jech, Astrit Alihajdaraj, Doruntina Basha, Edon Rizvanolli, dhe Visar Krusha – anëtarë, pasi shqyrtoi projektet e paraqitura në konkursin për subvencionimin e filmave të metrazhit të gjatë, të vitit 2014, ka kënaqësinë t’i shpallë projektet fituese:


1.  “Fusha e Mullenjave”, skenari e regjia: Arzana Kraja, shtëpia filmike: “Circle Production”, me producent Besnik Krapi.

Juria ka vlerësuar me më së shumëti pikë këtë projekt filmik për shkak të trajtimit origjinal të problemeve të shoqërisë kosovare në tranzicion, dhe të diasporës Kosovare në Gjermani.

2. “Home Sweet Home”, skenari: Zymber Kelmendi, regjia Faton Bajraktaraj, shtëpia filmike: “Cine Production”, me producent Trim Musliu.

Juria ka vlerësuar lartë këtë projekt filmik që trajton me ndjeshmëri problemet e pasluftës në Kosovë.

3. “Engjujt janë larg”, skenari e regjia Gjergj Xhuvani, shtëpia filmike: “Buka”, me producent Fatmir Spahiu.

Juria vlerësuese çmon potencialin artistik të këtij projekti që është tërësisht i fokusuar në Kosovë.

Për koproduksion minor, juria vlerësuese ka vendosur për projektet në vijim:

1. “Y-Elephant”, skenari e regjia z. Nonny Geften, shtëpia filmike:
“Industria Film”, me producentë Blerta Basholli, Ita Itamir

Juria ka vlerësuar lartë skenarin e këtij projekti filmik, i cili trajton temë që përkon me realitetin kosovar, dhe i gëzohet realizimit të këtij filmi në Izrael me ekip kreativ kosovar.

2. “September”, skenari: Darijan Pejovski dhe Igor Ivanov, regjia: Darijan Pejovski, shtëpia filmike: “Ikone Studio”, me producentë Valon Bajgora, Tomi Slakovski.

Juria ka përzgjedhur këtë projekt duke e vlerësuar lartë skenarin e tij, temën univerzale, dhe potencialin e madh komercial.

Juria ka vlerësuar se tri projektet në vijim kanë potencial të lartë artistik, qasje inovative, dhe tema intriguese, dhe beson fuqishëm në kapacitetet e ekipeve të tyre kreative, prandaj ka vendosur që këto projekte të përkrahen për zhvillim të mëtutjeshëm të skenarit.

1. “Shpia”, skenari Lendita Zeqiraj, shtëpia filmike:
“N’Art”, me producent Bujar Kabashi.

2. “Cirku Fluturues”, skenari Fatos Berisha, shtëpia filmike: “B2-PR &Media Solutions”, me producente Vjosa Berisha.

3. “Karuseli”, skenari Ilirian Hima, shtëpia filmike: “Dat Film”, me producent Agron Shala.

Juria vlerësuese është jashtëzakonisht e kënaqur me numrin e madh të aplikimeve që janë paraqitur në konkursin për subvencionimin e filmave të metrazhit të gjatë për vitin 2014, dhe nuk e ka pasur të lehtë përzgjedhjen e projekteve të lartpërmendura për shkak se konkurenca ka qenë e lartë. Juria çmon qasjen origjinale të skenaristëve dhe regjisorëve në trajtimin e temave që kanë potencial për ta prezantuar Kosovën para publikut si në vend ashtu edhe jashtë, me një frymë të re. Poashtu, juria është e gëzuar që të gjitha projektet e mbështetura kanë potencial të lartë për koproduksione ndërkombëtare, dhe thellim të bashkëpunimeve të tjera ndërkombëtare.

Qendra Kinematografike e Kosovës shpreson që projektet e përzgjedhura për mbështetje në konkursin e këtij viti, do t’u bashkangjiten së shpejti suksesit të projekteve të subvencionuara në konkurset e kaluara, dhe do të kontribojnë në thellimin e bashkëpunimit me shtetet e tjera. Shembull i këtij suksesi ëshë filmi artistik i metrazhit të gjatë ‘Bota,’ i regjisoëve Iris Elezit dhe Thomas Logoreci, koproduksion i Shqipërsië, Kosovës dhe Italisë, i cili do ta ketë premierën me datën 5 korrik 2014, në festivalin e kategorisë A në Karlovy Vary.

Në konkursin e vitit 2014, QKK poashtu ka mbështetur edhe 7 filma të metrazhit të shkurtër, 4 dokumentarë dhe 1 animacion. 

Partnerët tanë